PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kina shton bashkëpunimin për nismën "Një Brez dhe një Rrugë"
2015-05-05 14:50:11 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, përgjegjësi i Zyrës së Grupit Drejtues për zbatimin e projektit "Një Brez dhe një Rrugë" pranë Këshillit të Shtetit bëri të ditur se Kina do të shtojë bashkëpunimin në tetë fusha kryesore me vendet përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të. Ndër këto fusha, shtimi i ndërlidhshmërisë pritet të jetë fokusi i bashkëpunimit. Gjithashtu, qeveria kineze po planifikon që ta shpejtojë këtë proces edhe brenda vendit. Sipas planit, projektet e strategjisë "Një Brez dhe një Rrugë" të krahinave të ndryshme të Kinës do të integrohen në projektin kombëtar para fundit të tetorit të sivjetshëm.

Gjatë Forumit të Boaos të këtij viti, Kina publikoi dokumentin zyrtar "Vizioni dhe veprimet për ndërtimin e përbashkët të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe të Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të", çka shënon që strategjia "Një Brez dhe një Rrugë" është futur nga faza e ideimit nga udhëheqësit e shtetit në fazën e re të planifikimit dhe zbatimit të hollësishëm e të bashkëpunimit konkret.

Një nga hartuesit kryesorë të këtij dokumenti, përgjegjësi i grupit të punës pranë Këshillit të Shtetit të Kinës për nismën "Një Brez dhe një Rrugë", z. Ou Xiaoli, bën të ditur se integrimi i projekteve të krahinave të vendit në projektin kombëtar do të realizohet para muajit tetor të këtij viti. Ndërkohë, sipas tij, nuk përbën problem mungesa e ndonjë province ose rajoni në këtë projekt strategjik.

"Kemi kërkuar që në mbarë vendin të përfundojë integrimi i projektit kombëtar dhe i projekteve të krahinave të ndryshme. Në disa njoftime thuhet që në strategjinë 'Një Brez dhe një Rrugë' përfundimisht janë përcaktuar 18 provinca kryesore, ndërsa të tjerat që nuk përmenden, janë përjashtuar. Pa dyshim që kjo thënie është e gabuar. 'Një Brez dhe një Rrugë' është një projekt i gjithanshëm i Kinës për hapjen dhe bashkëpunimin ekonomik në të ardhmen. Atëherë, nuk ekziston problemi se cili ndodhet në këtë Rrugë ose në këtë Brez dhe cili nuk përfshihet në këtë Brez ose Rrugë. Me një fjalë, ky është një problem i paqenë," theksoi Ou Xiaoli.

Z. Ou Xiaoli bëri të ditur gjithashtu që Kina do të shtojë bashkëpunimin me vendet përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të, duke u fokusuar në tetë fusha kryesore, si nxitja e ndërlidhshmërisë infrastrukturore, thellimi i bashkëpunimit në fushën energjetike, zgjerimi i bashkëpunimit financiar dhe thellimi i shkëmbimeve kulturore. Duke folur për ndërlidhshmërinë infrastrukturore dhe thellimin e bashkëpunimit energjetik, Ou Xiaoli tha:

"Për nxitjen e ndërlidhshmërisë infrastrukturore duhen shfrytëzuar kanalet dhe nyjat kryesore, për të formuar shpejt tre korridoret mes Kinës dhe detit Baltik, Gjirit Persik dhe Oqeanit Indian. Për thellimin e bashkëpunimit në sektorin energjetik, në tokë e kemi vënë fokus në shtimin e bashkëpunimit konkret me vendet e Azisë Qendrore e të Azisë Perëndimore dhe Rusinë, si edhe në konsolidimin e zgjerimin e mëtejshëm të korridoreve strategjike të transportit, kurse në det jemi përqendruar në zgjerimin e bashkëpunimit lidhur me burimet minerare në tregun ndërkombëtar."

Strategjia "Një Brez dhe një Rrugë" përfshin gjithsej mbi 60 vende, me 4.4 miliardë banorë dhe një GDP afro 21 trilionë dollarë amerikanë, ose përkatësisht 62 % e numrit të përgjithshëm të popullsisë botërore dhe 29 % e vëllimit të përgjithshëm të GDP-së në botë. Zhang Xiaoqiang është zv.sekretar i përgjithshëm i përhershëm i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës. Ai është i mendimit që "Një Brez dhe një Rrugë" do t'u ofrojë vendeve përkatëse hapësira të reja zhvillimi.

"Strategjia 'Një Brez dhe një Rrugë' është e lidhur në Lindje me zonën ekonomike të Azisë Lindore dhe në Perëndim me zonën ekonomike të Europës dhe Amerikës Veriore. Nëse formohet një brez ekonomik gjigant mes këtyre dy linjave kryesore ekonomike, do të shfrytëzohen plotësisht përparësitë e vendeve përkatëse dhe potenciali i bashkëpunimit. Ky do të jetë korridori ekonomik më i gjatë, më dinamik dhe me perspektivë më të mirë në mbarë botën," theksoi Zhang Xiaoqiang, zv.sekretari i përgjithshëm i përhershëm i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës.

Deri tani, nisma e Kinës "Një Brez dhe një Rrugë" është pritur pozitivisht nga 60 vende të ndryshme. Ambasadori i Pakistanit në Kinë Masood Khalid i ka mirëpritur projektet e strategjisë "Një Brez dhe një Rrugë". Ai vuri në dukje se projekti i Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan do të jetë një urë e rëndësishme për strategjinë "Një Brez dhe një Rrugë" dhe tha se Pakistani shpreson që ky projekt do të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare.

"Jemi të bindur që Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan është një mënyrë shumë e mirë për të ndihmuar qindra milionë njerëz në Pakistan të dalin nga varfëria dhe për të përmirësuar nivelin e jetesës në vendin tonë. Ndërkohë, ky Korridor është një themel jashtëzakonisht i rëndësishëm, me të cilin ne mund të luftojmë më mirë terrorizmin dhe ekstremizmin, pasi të rinjtë mund të marrin pjesë në këtë projekt, të punësohen e të gjejnë shanse të reja ekonomike dhe kështu do të nxitet siguria e këtij rajoni," u shpreh Masood Khalid.

Autoritetet vendore dhe kompanitë e krahinave të ndryshme të Kinës, në bazë të projektit "Një Brez dhe një Rrugë" dhe të përparësive të veta, kanë filluar të kërkojnë pika të përshtatshme integrimi në projektin e përgjithshëm kombëtar. Zv.kryemenaxheri i grupit kinez "Huaneng" Sun Zhiyong u shpreh që do të formohet një bashkësi e "daljes jashtë vendit" për të shpejtuar investimet në projekte në vende të tjera dhe për të nxitur eksportin e shërbimeve dhe të teknologjive përkatëse.

"Kemi arritur mendime unanime me disa prodhues pajisjesh në Kinë, si 'Dongfang Electric', 'PowerChina' dhe 'Shanghai Electric' për formimin e një bashkësie të investitorëve, ndërtuesve dhe prodhuesve të pajisjeve të centraleve elektrike. Kështu, mund të shfrytëzohen përparësitë e secilit dhe të realizohet dalja jashtë vendit e përbashkët," thotë Sun Zhiyong, zv.kryemenaxheri i grupit kinez "Huaneng".

(Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China