Viva tha se vizita e tij e parë në Tibet në vitin 2010 i ndryshoi krejtësisht njohuritë e mëparshme të tij për këtë rajon. Pas kthimit në Francë, ai lexoi shumë materiale dhe botoi librin "Dalai Lama-Jo aq Zen". "Por, kjo vepër nuk mund të pasqyrojë njohjen time të re për Tibetin, sidomos në fushën fetare, për të cilën kam më shumë për të thënë", thekson Viva.
Sipas Maxime Viva-s, para vizitës në Tibet, gjithça që dinte për këtë rajon ishte e bazuar mbi propagandën e mediave perëndimore. Ai ishte i mendimit se qeveria kineze e kishte zhdukur kulturën tibetiane dhe kufizonte lirinë fetare të tibetianëve. Por me të zbritur në aeroportin e Lhasës, Viva u habit nga pamja përpara syve të tij: kudo gjendeshin reklama dhe tabela rrugore në gjuhën tibetiane. Më pas, ai vizitoi shkollat, duke parë mësuesit që jepnin mësim në gjuhën tibetiane, ndërsa nxënësit i treguan programin e përdorimit të alfabetit të gjuhës tibetiane. Gjëja që e befasoi më shumë është besimtarët, që bënin lutje në çdo vend publik, jo vetëm në tempuj.
Z. Viva u shpreh se vizita e bindi se qeveria kineze nuk kufizon lirinë fetare në Tibet, por përkundrazi, ajo është tepër tolerante me shprehjen e besimit, sepse sipas tij në disa vende perëndimore, si Franca etj., është i ndaluar në disa vende publike ushtrimi i hapur i praktikave fetare.
Libri "Dalai Lama - Jo aq Zen", që u botua në vitin 2011 në gjuhën franceze, tani është botuar edhe në gjuhën standarde kineze, gjuhën tibetiane, në anglishte, gjermanishte dhe spanjishte. Në libër, në bazë të shumë fakteve historike e aktuale dhe fjalëve të Dalai Lamës së 14-t Dainzin Gyamco, autori zbulon anën tjetër të këtij lideri fetar, të veshur me petkun e paqes dhe të mirësisë. (Zhang Yan)