Kryeministri kinez bën thirrje për forcimin e partneritetit Kinë-Europë
Kryeministri kinez Li Keqiang, në një artikull të publikuar të premten nga e përditshmja britanike "Daily Telegraph", bëri thirrje për forcimin e partneritetit Kinë-Europë me interes reciprok.
Në këtë artikull kryeministri theksoi se Samiti Kinë-BE, i cili sapo ka përfunduar, ka dhënë "rezultate të frytshme", mes të cilëve dhe publikimi i "Axhendës Strategjike për Bashkëpunim Kinë-BE 2020".
"Ky samit paraqiti nisjen e negociatave mbi marrëveshjen e investimeve Kinë-BE dhe caktoi qëllimin dypalësh për arritjen e një vëllimi tregtar në shifrën e 1 trilion dollarëve amerikanë deri në vitin 2020," tha Li.
Ai shtoi se axhenda do të ofrojë më shumë mundësi për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar midis Kinës dhe Europës, përfshi edhe Mbretërinë e Bashkuar.
Shefi i qeverisë kineze riafirmoi qëndrimin e Kinës për mbështetjen e procesit të integrimit europian, duke nënvizuar se "një Europë e bashkuar, e qëndrueshme dhe e begatë është në interesin e mbarë botës dhe të Kinës."
Për vizitën e tij të ardhshme në Europë, Li tha se do të "shqyrtojë mënyrat për thellimin e bashkëpunimit" në takimin e kryeministrave të 16 vendeve të Europës Lindore dhe Qendrore në Bukuresht.
"Ekziston një potencial i madh për zgjerimin e bashkëpunimit midis Kinës dhe këtyre vendeve dhe unë po pres për të punuar së bashku me kolegët e mi europianë, për t'i dhënë një shtysë të re zhvillimit të marrëdhënieve tona reciproke" shkruhet në artikull.
Kryeministri kinez bëri një vlerësim pozitiv ndaj ekonomisë së BE-së, duke bërë thirrje për më shumë bashkëpunim ndërmjet dy palëve. për të fituar ndaj sfidave.
"...Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin," tha kryeministri.
"Jam i kënaqur me faktin se shumë vende europiane e kanë hedhur recesionin pas krahëve dhe që ekonomia e BE-së është më e stabilizuar," tha ai.
Ndërkohë, Li shtoi se edhe ekonomia kineze është përballur me sfidat e saj.
"Ne u përballëm me presionin dhe u mbërthyem në politikën e mos lejimit të rritjes së deficitit dhe nga ana tjetër të mos kishim zgjerim apo tkurrje monetare. Në vend të kësaj ne miratuam një qasje të plotë në bazë të menaxhimit të ri makroekonomik".
Li nënvizon se në bazë të përpjekjeve, ekonomia kineze është e qëndrueshme me "një rritje të GDP-së rreth 7.5 për qind dhe mbajtjen e nivelit të inflacionit nën 3.5 për qind".
Në Sesionin e tretë Plenar të Komitetit Qëndror, të zgjedhur në Kongresin e 18-të të PK të Kinës u vu theksi tek thellimi i reformave në Kinë.
"Këto vendime nuk do të përshpejtojnë vetëm zhvillimin socialo-ekonomik të Kinës, por do të ndihmojnë edhe në zhvillimin e zonave rurale, urbane dhe rajoneve të tjera, duke sjellë prosperitet më të madh për banorët dhe duke krijuar mundësi të reja për marrëdhëniet tona me botën e jashtme".
Li përfundoi duke thënë se:
" Programi i modernizimit të Kinës do të krijojë mundësi historike për bashkëpunimin reciprok ndërmjet 2 miliardë banorëve të Kinës dhe Europës".
Në fund të artikullit, kryministri Li Keqiang u bëri thirrje palëve "të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të përfitojnë nga të mirat që do të sjellë bashkëpunimi." (Albana)