Ministrat e jashtëm të BE-së u takuan të hënën në selinë e kësaj organizate në Bruksel për të diskutuar lidhur me çështjet e Sirisë, të Malit dhe të Koresë së Veriut. Për sa i përket Sirisë, para takimit pati njoftime se krerët e diplomacive të vendeve të BE-së mund të vendosin heqjen e embargos së armëve ndaj Sirisë, me qëllim që t'u sigurohen forcave të opozitës siriane më shumë armë e municione për të përmbysur regjimin e presidentit Bashar al-Asad. Por, për arsye të dallimeve të mëdha, në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje lidhur me këtë çështje. Në përfundim të bisedimeve u vendos që BE-ja të vazhdojë embargon e armëve dhe sanksionet ndaj Sirisë. Periudha e embargos së armëve u zgjat edhe për tre muaj të tjerë, deri në fund të majit, kur ministrat e jashtëm të BE-së do të mblidhen përsëri për të diskutuar dhe për të vendosur lidhur me masat e mëtejshme.
Në të vërtetë, lidhur me ndalimin e embargos së armëve ndaj Sirisë ka pasur gjithmonë mosmarrëveshje mes vendeve të BE-së. Britania e Madhe ka bërë thirrje për heqjen e kësaj embargoje, për të armatosur forcat opozitare siriane. Londra e sheh këtë si një rrugë për daljen nga kriza në mungesë të një zgjidhjeje diplomatike. Por kundërshtarët e heqjes së embargos mendojnë se kjo do të bënte që qeveria dhe opozita siriane të kishin më shumë armë në duart e tyre, gjë që nuk do të ishte në të mirë të një zgjidhjeje paqësore të krizës. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Zhan Aselborn u shpreh se në Siri nuk mungojnë armët dhe se hyrja e më shumë armëve në vend do të shkaktonte më shumë viktima. Ndërsa homologu i tij gjerman Guido Westerwelle tha se Berlni mendon se ndalimi i embargos së armëve nuk do të ishte një veprim i zgjuar dhe do të shkaktonte një raund të ri gare armatimi në Siri, duke sjellë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. (Çang Çuo/Artani)