Përfaqësuesi i Koalicionit Kombëtar Sirian për Opozitën në Paris Monzer Mahus u shpreh të enjten se ky koalicion është i gatshëm për të zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e qeverisë së Sirisë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në këtë vend.
Sipas njoftimeve, kryetari i Koalicionit Kombëtar Sirian për Opozitën Moaz Al-Khatib është shprehur të mërkurën se ai është i gatshëm të zhvillojë dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e qeverisë siriane në Kajro, Tuniz ose Stamboll.
Monzer Mahusi tha se, si numri një i opozitës siriane, Al-Khatibi ndien përgjegjësi për nxjerrjen nga ngërçi të problemit sirian. Mahusi u bëri thirrje gjithashtu vendeve anëtare të BE-së që të mbështesin opozitën siriane dhe të heqin embargon e armëve ndaj saj.
Në fillim të janarit presidenti sirian Bashar Al-Asad u shpreh për fillimin e një dialogu kombëtar për zgjidhjen e krizës, por opozita e hodhi poshtë thirrjen e tij.
(Çang Çuo/Artani)