Brahimi, i cili vizitoi Damaskun të dielën e kaluar, paralajmëroi se koha nuk premton, duke u bërë thirrje të gjithë atyre që mund ta ndihmojnë Sirinë, të mos i kursejnë përpjekjet.
Brahimi arriti në Siri të dielën e kaluar për një vizitë njëjavore me qëllim për të diskutuar zhvillimet e krizës siriane me qeverinë dhe opozitën.
Pas takimit me presidentin Bashar al Assad të hënën, Brahimi tha se ai bisedoi për hapat që ai mendon se do duhen të ndiqen për zgjidhjen e krizës. Por ndërkohë Brahimi nuk njoftoi asnjë detaj nga plani i tij i ri.
Mediat thanë se plani i ri i Brahimit fokusohet tek krijimi i një qeverie tranzicioni në Siri, me përfaqësues të opozitës dhe regjimit të tanishëm. Por plani i ri është ende i paqartë për rolin e vetë presidentit Assad. (Leftion Peristeri)