Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad u shpreh të dielën se qeveria dhe populli sirian do të mposhtin me çdo kusht komplotin e forcave të jashtme ndaj vendit të tij.
Në takimin me kreun e Komisionit për Siguri Kombëtare dhe për Politikë të Jashtme të Iranit, Alaeddin Boroujerdi, presidenti sirian u shpreh se ngjarjet që po ndodhin në Siri janë pjesë e komplotit të forcave të jashtme.
"Qeveria siriane do të marrë të gjitha masat efektive për të mbrojtur interesat e popullit sirian, duke shkatërruar me çdo kusht çdo komplot të forcave të jashtme," u shpreh numri një i Sirisë.
Nga ana e tij, Boroujerdi u shpreh se Irani do ta përkrahë Sirinë të dalë nga kriza si dhe do të ofrojë ndihmën e duhur për zgjidhjen e saj.
"Pavarësisht përpjekjeve të forcave të huaja për të dobësuar Iranin dhe Sirinë, ato nuk do të mund të dobësojnë vendimin e të dyja vendeve për të rezistuar."
Megjithëse nuk publikohen detaje të tjera nga bisedimet, mediat shkruajnë se takimi kishte të bënte me planin për zgjidhjen e krizës siriane, të paraqitur nga Irani. (Zhan Dian/ Albana)