Më 6 qershor, në një fshat në provincën Hama të Sirisë Qendrore ndodhi një tjetër masakër, pas asaj të pak kohëve më parë në Houla. Numri i të vdekurve në këtë masakër të dytë është rreth 100, 40 prej të cilëve femra dhe fëmijë. Mediat janë të mendimit që incidentet e përgjakshme të ditëve të fundit po tensionojnë më tej situatën e brendshme në Siri, prandaj palët përkatëse po shpejtojnë hapat për të zgjidhur sa më parë krizën.
Gjatë dy muajve të punës së vet, misioni vëzhgues i OKB-së në Siri nuk ka arritur të pushojë gjakderdhjen në këtë vend dhe opozita siriane ka shpallur se nuk do ta respektojë më marrëveshjen e armëpushimit me qeverinë siriane. I dërguari i posaçëm i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe Kofi Anan po shqyrton mundësinë që t'i paraqesë një propozim tjetër Këshillit të Sigurimit, për të krijuar një grup kontakti ndërmjet shteteve përkatëse, duke përfshirë vendet anëtare të përhershme të KS-së, si edhe Arabinë Saudite, Turqinë dhe Iranin, vende këto që kanë ndikim të madh përkatësisht tek opozita dhe qeveria siriane. Mbi këtë bazë, do të hartohet projekti i një marrëveshjeje tranzicioni politik, i ngjashëm me "mënyrën e Jemenit", për ta nxitur presidentin sirian Bashar al-Assad të dorëzojë pushtetin dhe për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në Siri.
Analistët vënë në dukje se, në kushtet e vazhdimit të krizës siriane, e ashtuquajtura"mënyrë e Jemenit" është një projekt deri diku i pranueshëm për vendet perëndimore. Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton dhe zv.ministri i Jashtëm rus Mikhal Bogdanov kanë shprehur mundësinë për pranimin e kësaj rrugëzgjidhjeje.
Nga ana tjetër, bota perëndimore po zgjeron sanksionet ndaj Sirisë, që përfshijë ngrirjen e pasurive të zyrtarëve të lartë dhe kufizimin e lëvizjes së tyre, si edhe embargon ndaj eksportit të produkteve të naftës dhe të armëve, për të ushtruar kështu trysni më të madhe mbi presidentin sirian Bashar al-Assad. (Wang Xianya/Artani)