Konferenca e shtypit e përbashkët e dy ministrat e jashtëm kino-shqiptar
Konferenca për shtyp e dy ministrave të Jashtëm
Fjala e z. Haxhinasto: Ishte një kënaqësi e veçantë të pres sot në Ministrinë e Jashtme, Ministrin e Jashtëm kinez, z. Yang Jiechi. Kjo vizitë konfirmoi edhe një herë partneritetin strategjik që Shqipëria ka me Republikën Popullore të Kinës, marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësinë tradicionale që ekziston mes dy vendeve tona. Kjo klimë e shkëlqyer marrëdhënieve politike midis dy vendeve duhet të përkthehet në bashkëpunim intensiv ekonomik. Kina është partneri numër tre ekonomiko-tregtar i Shqipërisë dhe potencialet e zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi janë shumë të mëdha.
Kemi identifikuar fushat kryesore të bashkëpunimit, si energjia, infrastruktura, burimet natyrore, turizmi dhe kemi identifikuar mekanizmat për realizimin me efikasitet të këtij bashkëpunimi. Në takim kam shprehur mirënjohjen tonë për ndihmën e vazhdueshme që Republika Popullore e Kinës i jep Shqipërisë nëpërmjet programeve të asistencës, si dhe granteve të ndryshme. Në këtë aspekt, kemi identifikuar drejtimet më të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Republika e Shqipërisë e shikon me shumë respekt rritjen ekonomike dhe shtimin e përgjegjësive ndërkombëtare të R.P Kinës dhe, në këtë kuadër, diskutuam për çështje të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare, përfshirë reformën e Këshillit të Sigurimit. Lidhur me rajonin, kemi folur edhe për Kosovën.
Kemi rënë dakord që ky bashkëpunim ekzistent midis dy vendeve tona, pra një bashkëpunim i një rëndësie strategjike, të forcohet më shumë në të ardhmen nëpërmjet shkëmbimeve në nivelet më të larta midis qeverive dhe shteteve tona.
Fjala e z. Jiechi: Të nderuar zonja dhe zotërinj. Përshëndetje! Jam shumë i kënaqur që vizitoj vendin tuaj Shqipërinë si vendi i shqiponjave, me ftesën e zv.kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë z. Edmond Haxhinasto. Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë dhe doja të shprehja mirënjohjen për mikpritjen miqësore për popullin kinez. Unë doja t`i tregoja popullit shqiptar se populli kinez ushqen të njëjtat ndjenja miqësore ndaj popullit shqiptar. Ne i kushtojmë shumë rëndësi krijimit të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë në një shekull të ri, në rrethana të reja. Sot ne kemi shkëmbyer edhe mendimet lidhur me forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona dhe forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit në arenën ndërkombëtare. Gjatë bisedimeve zyrtare kemi arritur konsensus të rëndësishëm dhe të gjerë dhe unë mendoj se këto biseda janë shumë pozitive. Unë mendoj se duhet ruajtur shkëmbimi në nivel të lartë midis dy vendeve tona dhe kam ftuar z. Haxhinaston që të vizitojë Kinën në një kohë të përshtatshme. Unë jam shumë i kënaqur që ai e ka pranuar ftesën. Pak më parë z. Haxhinasto përmendi disa fusha me potencial të madh për bashkëpunimin dypalësh, unë ndaj të njëjtin mendim me të. Do të theksoja se pala kineze do të inkurajojë biznesin kinez të investojë në fushën e infrastrukturës, burimeve natyrore, energjisë dhe në fusha të tjera. Të dyja palët ramë dakord që të çojmë përpara bashkëpunimin midis dy ministrive të punëve të jashtme; gjithashtu të dyja palët do të forcojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimin në fushën e kulturës, arsimit dhe turizmit. Jemi shumë të kënaqur që Shqipëria ka arritur suksese të dukshme lidhur me zhvillimin në fushën e ekonomisë dhe në fushën sociale. Ne mbështesim popullin shqiptar që të ndjekë rrugën që i takon vendit të tyre për t`u integruar në BE. Gjithashtu përshëndesim dhe rolin pozitiv që Shqipëria ka luajtur në çështjet ndërkombëtare dhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon. Duke shfrytëzuar rastin doja të falenderoja për mikpritjen që na është bërë dhe nesër do kemi takime me Presidentin e Republikës z. Bamir Topi, me Kryeministrin z. Sali Berisha dhe me Kryetaren e Kuvendit znj. Jozefina Topalli. Së fundi doja të thoja që Tirana është një qytet shumë i bukur.
Faleminderit!