Reaktori nr.3 në centralin bërthamor Daiichi të Fukushimës, mund të jetë dëmtuar pjesërisht. Sipas Agjencisë japoneze të Sigurisë Bërthamore e Industriale, dyshimet shtohen nga fakti i zbulimit të lëndëve radioaktive në ujin e bodrumit të reaktorit, me një nivel të rrezatimit 10 mijë herë më shumë se norma e lejuar.
Ndërkohë, shefi i kabinetit japonez, Yukio Edano, u bëri thirrje njerëzve që banojnë afër centralit, në një rreze nga 20 deri në 30 kilometra të tërhiqen vetë. Thirrja e tij erdhi pas vazhdimit të ndotjes bërthamore dhe vështirësisë që kanë autoritetet për t'i furnizuar me ndihma. Gjithashtu, sipas tij, autoritetet vendore po përgatiten për evakuimet.
Bilanci i viktimave vijon të rritet ndërkohë. Autoritetet deri në orën 18 të 25 marsit, konfirmuan 10'066 njerëz të vdekur dhe 17'452 të zhdukur, pas tërmetit dhe cunamit të 11 marsit.
FMN, duke llogaritur humbjet e ekonomisë japoneze, konsideroi se ato mund të zënë nga 3% deri në 5% të GDP-së së vendit. Humbja, sipas FMN-së, është ende "brenda kontrollit". Ndaj, ndikimet janë të përkohshme për zhvillimin e ekonomisë globale.
(Çan Yean)