Kina rrit kujdesin dhe mbështetjen për pacientët me Alzhajmer
2024-09-24 11:14:22

Para se të transferohej në një shtëpi për të moshuarit, 90-vjeçarja Liu, nga provinca Zhejiang e Kinës lindore jetonte me fëmijët e saj, të cilët e kishin gjithnjë e më të vështirë të kujdeseshin për të, për shkak të dëmtimit të aftësive njohëse. Ajo shpesh ngatërronte mëngjesin me pasditen dhe luftonte me depresionin dhe ankthin.

Duke njohur kufizimet e tyre, fëmijët e saj patën dyshime përpara se ta çonin atë në njësinë e kujdesit në Shtëpinë e të Moshuarve Luobu.

foto/CGTN/CFP

foto/CGTN/CFP

Liu mori një kujdes të dhembshur dhe efektiv, i cili e ndihmoi të rifitonte forcën, të artikulonte nevojat e saj dhe të lidhej me banorët e tjerë, duke ngadalësuar përparimin e simptomave të dëmtimit të aftësive njohëse.

Sëmundja e Alzheimerit njihet gjithnjë e më shumë si një sfidë e shëndetit publik ndërsa popullsia globale plaket. Në Kinë, kujdesi për një numër në rritje të pacientëve me demencë është bërë urgjent, me afro 17 milionë individë të prekur, sipas Raportit për Alzhajmerin në Kinë për vitin 2024.

Sëmundja imponon ngarkesa të rënda fizike dhe emocionale për pacientët dhe familjet e tyre, duke sforcuar burimet sociale mjekësore dhe shërbimet e kujdesit për të moshuarit. Shtëpitë e kujdesit ndaj demencës janë hapur në rajone si Pekini, Shangai dhe Zhejiang, duke ofruar një mjedis më mbështetës për pacientët e moshuar.

Disa prej këtyre shtëpive të kujdesit po adoptojnë qasje inovative, të përqendruara te pacientët, për të përmbushur nevojat unike të të sëmurëve me Alzhajmer. Për shembull, objektet në Pekin kanë prezantuar modele, si kujdes mbështetës dhe ambiente të përbashkëta, për të krijuar një atmosferë shtëpiake.

Ndryshe nga shtëpitë tradicionale të të moshuarve, këto hapësira u lejojnë banorëve të personalizojnë dhomat e tyre, të ruajnë rutinat e njohura dhe të marrin pjesë në aktivitete të përditshme, si lojërat me letra, duke ruajtur një ndjenjë normaliteti dhe komuniteti.

Ndërhyrjet jofarmakologjike, të tilla si terapia me muzikë dhe reminishencë, përdoren zakonisht për të ngadalësuar rënien e aftësive njohëse. Një shtëpi kujdesi në Shangai, për shembull, përfshin elemente kulturore lokale, duke përdorur artefakte tradicionale për të ngjallur kujtimet e banorëve. Për më tepër, kujdestarët profesionistë vlerësojnë shëndetin e çdo banori çdo tre muaj, duke përshtatur planet e kujdesit për mbështetje të personalizuar.

foto/CGTN/CFP

foto/CGTN/CFP

Strategjia kombëtare për kujdesin ndaj demencës

Vitet e fundit, Kina ka zbatuar politika për të zgjeruar dhe standardizuar shërbimet e kujdesit ndaj demencës në mbarë vendin, duke u fokusuar në rritjen e disponueshmërisë së shtëpive të specializuara të kujdesit.  Qytetet si Pekini dhe Shangai tani kërkojnë që shtëpitë e të moshuarve të krijojnë njësi të specializuara të kujdesit për demencën, të pajisura me profesionistë të trajnuar që kryejnë vlerësime gjithëpërfshirëse çdo tre muaj, për të përshtatur planet e kujdesit sipas nevojës.

Në vitin 2022, Pekini njoftoi planet për të krijuar të paktën një strukturë të specializuar të kujdesit për demencën në çdo rreth, deri në vitin 2025, duke synuar që mbi 30 për qind e shtëpive të të moshuarve të krijojnë njësi të dedikuara, duke synuar rreth 8000 shtretër kujdesi dhe zhvillimin e mbi 100 komuniteteve për kujdesin ndaj demencës.

Në mënyrë të ngjashme, një projekt pilot i nisur në vitin 2023 në qytetin Nantong, në provincën Jiangsu, fokusohet në parandalimin e paaftësisë dhe demencës te të moshuarit përmes edukimit shëndetësor dhe vlerësimeve të rrezikut.  Autoritetet përkatëse po zhvillojnë fushata ndërgjegjësimi të publikut, duke përfshirë sesionet e edukimit të demencës dhe programet e shqyrtimit të hershëm, për të ndihmuar familjet të njohin shenjat e hershme të demencës dhe të kërkojnë trajtim në kohë.

“Sëmundja e Alzhajmerit ka një fillim të zgjatur, me periudhën nga fazat e saj fillestare deri në shfaqjen e simptomave të demencës që mund të zgjasin 15 deri në 20 vjet. Ky progres ndikohet nga një sërë faktorësh rreziku, shumë prej të cilëve mund të modifikohen. Menaxhimi efektiv i këtyre faktorëve kryesorë të rrezikut mund të zvogëlojë incidencën e Alzhajmerit me gati 50 për qind”,- deklaroi Tang Yi, zv.drejtor i Laboratorit për Sëmundjet Neurodegjenerative në Ministrinë e Arsimit të Kinës. 

foto/CGTN/CFP

foto/CGTN/CFP

Sëmundja e Alzhajmerit gërryen gradualisht kujtimet e pacientëve dhe aktualisht nuk ka kurë. Që nga janari 2024, linja e zhvillimit të ilaçeve për Alzhajmerin përfshin gjithsej 164 prova klinike në fazat e para deri në fazën e tretë, duke vlerësuar 127 trajtime të mundshme, me 32 ilaçe tashmë në provat e fazës së tretë.

“Shpresohet që në të ardhmen të bëhet një shqyrtim më i saktë i hershëm për Alzhajmerin, duke përdorur analizat e gjakut. Për sa i përket trajtimit, vitet e fundit ka pasur përparime në zhvillimin e ilaçeve, me medikamente të reja tashmë të disponueshme.

Kur kombinohen me ndërhyrje jofarmakologjike, këto qasje mund të ofrojnë mundësi për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes”,- tha Tang.