Më 9 shtator nis dita e parë e shkollës për arsimin parauniversitar në rang kombëtar. Të gjithë nxënësit do jenë sërish në ambjentet e shkollave. Dita e parë shkollës është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për nxënësit e mësuesit, por edhe për prindërit, të cilët mundohen të kujdesen në çdo detaj, për një fillim viti shkollor sa më të mbarë. Shumë nxënës mezi po e presin fillimin e vitit të ri shkollor, takimin me shokët,shoqet dhe mësuesit e tyre, por fëmijë të tjerë ndjehen mjaft të emocionuar, apo edhe të stresuar brenda vetes. Këto ndjesi përjetohen në forma të ndryshme, si nga nxënësit e fillores, të cilët ulen për herë të parë në bankat e shkollës, por edhe nga adoleshentët. Stresi i tyre lidhet me një sërë faktorësh: frymën e theksuar garuese në shkollë, ngarkesat në mësime, dëshirën për të luajtur, etj. Duke kaluar nga periudha e qetë e pushimeve, në një fazë tjetër, më të ngarkuar me mësime, nxënësit provojnë emocione. Për këto emocione flasin për Radio Ejani psikologet, Manjola Daci dhe Qerime Daci, si dhe nxënës.
CMG: A përjetojnë emocione fëmijët në fillim të vitit të ri shkollor?
Qerime Daci: Të gjithë nxënësit pa dallim moshe, përjetojnë emocione të ndryshme, të cilat përjetohen sipas karakterit dhe personalitetit të njeriut. Dikush i përjeton emocionet më të forta, e dikush më të dobëta, dikush të ngrohta e dikush tjetër të ftohta. Përjetimi i emocionit është aq i rëndësishëm, aq i pranishëm sa në vetvete fillimi i vitit të ri shkollor. Emocionaliteti është mënyra e jetesës sonë, ashtu si vetë jeta që vazhdon. Ai na shoqëron, ndjenjat emocionale janë të ndryshme gjithashtu edhe përjetimet e nxënësve. Këto janë përjetimet që kalojnë fëmijët gjatë takimit me njëri-tjetrin pas një periudhe të gjatë të pushimeve. Kemi të bëjmë edhe me emocionet e ndrydhjes, të cilat ndodhin nga mënyra e të menduarit, se si do të jetë ndryshimi i lëndëve mësimore, si duhet të vazhdojë procesi i mësimdhënies dhe njëkohësisht procesi i mësimmarrjes. Emocionet e fillimvitit shkollor janë edhe të bukura edhe të fshehta, janë emocionet e përjetimit të brendshëm, të pakuptueshme nga të tjerët, por të ndjeshme nga vetë personi.
CMG: Si mund t’i menaxhojnë nxënësit emocionet e tyre?
Manjola Daci: Nxënësit mendjen e tyre mundohen të përgatiten emocionalisht, por edhe në gjendjen momentale, i gënjen vetë emocioni. Thjeshtë ata mundohen që të jetë të përgatitur emocionalisht, me takimet me njëri-tjetrin dhe me mësuesit, duke menduar se emocionet janë të përgatitura, por ato grumbullohen në brendësinë tonë dhe shpalosen duke dale në gjendjen në të cilën edhe ne vetë nuk do donim që të na dilnin, sepse mund të kemi përgatitje emocionale të brendshme, mund të jetë emocione të llojeve të ndryshme, por ka edhe emocione që nuk mund t’i kemi në kontroll.
CMG: Si duhet të reagojmë kur fëmijët përjetojnë këto lloj emocionesh?
Manjola Daci: Patjetër që duhen menaxhuar emocinonet tek nxënësit, por edhe emocione që nuk menaxhohen, nga takimi mes njëri -tjetrit në ditën e parë të shkollës, ditën e dytë apo të tretë,e me rradhë. Menaxhimi emocional ndikon gjatë javës së parë të shkollës, sepse nxënësit mundohen që të mbajnë brenda tyre emocionalitetin, duke mos e nxjerrë në pah atë. Por kemi edhe raste kur emocionet nuk menaxhohen dot, janë emocionet shpërthyese, të cilat shpalosen nëpërmjet tonalitetit të zërit, të shfrenimit, apo të heshtjes. Ndikim të madh në përgatitjen emocionale ka edhe vetë ndikim prindëror, të cilët duhet t’i përgatitin fëmijët e tyre për fillimin e vitit të ri shkollor. Ata duhet t’i përgatitin fëmijët që të ruajnë qetësinë mendore, të ruajnë qetësinë e kthejlltësisë, të emocioneve të fshehta, etj. Sa të gatshëm jemi për të përgatitur këta fëmijë? Në të vërtetë është mjaft e vështirë, sepse ka emocione të shumta që nuk menaxhohen dot dhe ka nevojë për ndërhyrjen e specialistit.
Si e presin nxënësit vitin akademik 2024-2025?
Kemi përzgjedhur disa opinione të tyre me mikrofonin e Radio Ejani:
CMG: Pas pushimeve, po afron dita e parë e shkollës. Si po e pret fillimin e vitit të ri shkollor?
Daniel: Mua më ka marrë malli për shokët dhe shoqet e klasës dhe mezi pres që t’i takoj në ditën e parë të shkollës.
Bora: Jam shumë e emocionuar dhe pres të takoj shokë të rinj dhe shoqe të reja sepse këtë vit jam në klasën e pestë.
Albani: Si të gjithë fëmijët edhe mua më pëlqejnë pushimet, por më mungon edhe shkolla, shokët dhe shoqet, orari i programuar, disiplina shkollore. Kemi nevojë për të dyja edhe pushimet, por edhe për shkollën. Përveç mësimeve ne edhe në shkollë kemi argëtim, ndërsa gjatë pushimeve dalim pak nga vetja. Unë ju uroj të gjithë fëmijëve, një vit të mbarë shkollor.
CMG: Faleminderit dhe suksese në mësime!
-Fillimi i shkollës sjell ankth dhe emocion si për nxënësit ashtu edhe për prindërit. Do të duhen disa ditë apo javë, që të dyja palët t’i kthehen normalitetit. E rëndësishme është që prindërit të menaxhojnë më së miri këtë situatë, duke mos ia transmetuar ankthin e tyre fëmijëve, por duke i mbajtur ata sa më të qetë.
Nëse fëmijët janë të stresuar, nuk duhet t’i injorojmë, por u duhet dhënë vëmendja e duhur, duke biseduar me ta në lidhje me këtë temë, pasi kjo gjë i ndihmon fëmijët në reduktimin e stresit. Kthimi në shkollë apo vajtja në klasë të parë zgjojnë ndjesi të përziera tek fëmijët dhe prindërit.
Tek shumica e fëmijëve, emocionet e fillimit të shkollës fillojnë gjatë dy javëve të fundit të pushimeve verore, të cilët fillojnë të mendojnë rreth shkallës së vështirësisë së lëndëve, ngarkesës ende të panjohur me detyra, mësuesit e rinj të lëndëve, tek “karakteristikat” negative të disa mësuesve të njohura nga viti i kaluar, tek shokët e shoqet e klasës dhe sjellja e tyre, tek “pikat e dobëta” të vetë fëmijëve, etj. Stres tek nxënësit shkakton edhe ngarkesat tek detyrat e shtëpisë, ku çdo fëmijë ka mënyrën e vet të menaxhimit të tij. Sipas specialistëve, në çdo fillim të vitit të ri shkollor, prindërit duhet t’u rrinë shumë afër fëmijëve të tyre, për të kuptuar emocionet që ata përjetojnë, por duke i ndihmuar me biseda të ndryshme, shëtitje apo dhe lojëra në natyrë. Ne i urojmë të gjithë nxënësve, një vit shkollor sa më të qetë dhe plot suksese!
Intervistoi: Sava Lena