Britania e Madhe pret liderët europianë (Foto Vizion Plus)
Britania e Madhe do të presë më 18 korrik krerët e shteteve të BE-së dhe vendet aspirantë, njofton RTSH. Si vend jo anëtar i BE-së , Britania e Madhe ka ftuar edhe vendet joanëtare të BE-së, përfshirë Norvegjinë, Islandën, Gjeorgjinë, Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe Turqinë. Shqipëria do përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama.
Konferenca e së enjtes është takimi i katërt i Komunitetit Politik Evropian, i iniciuar pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ide e presidentit francez, Emmanuel Macron.
Është parë si një mundësi “shumë domethënëse” për kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer që jo vetëm të presë deri në 50 liderë evropianë, por të rivendosë besimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe t’i tregojë botës se vendi është kthyer në skenën ndërkombëtare pas viteve të dëmtimit të reputacionit të shkaktuar nga Brexit. Komunitetit Politik Evropian, është krijuar për të lehtësuar forcimin e lidhjeve midis liderëve të BE-së dhe atyre jo pjesë e BE-së me konferenca të mëparshme të mbajtura në Spanjë, Moldavi dhe Republikën Çeke.
Si mikpritës, Starmer do të flasë në seancën plenare hapëse. Ai pritet të nënvizojë angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ukrainës dhe Zelenskyt, dhe për rivendosjen e marrëdhënieve të vendit pas Brexit me BE-në.(Fatosi)