Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Kinës në gjysmën e parë të vitit 2024 u rrit 5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme, duke arritur në 61.68 trilionë juanë (rreth 8.65 trilionë dollarë), treguan të hënën të dhënat e Zyrës Kombëtare të Statistikave (NBS).
Shangai/Foto:VCG
Po sipas vlerësimeve paraprake, në tremujorin e dytë, PBB-ja e Kinës u shtua 4.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Sipas industrive, vlera e shtuar e industrisë parësore ishte 3.07 trilionë juanë, e industrisë dytësore 23.65 trilionë juanë dhe e industrisë tretësore 34.96 trilionë juanë, përkatësisht me një rritje 3.5, 5.8 dhe 4.6 % në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, sipas tremujorëve, PBB-ja në tre muajt e parë të këtij viti u shtua me 5.3 për qind dhe në tremujorin e dytë 4.7 për qind në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Rritja e PBB-së në tremujorin e dytë ishte me 0.7 për qind më e madhe se në tremujorin e parë.
NBS-ja vuri në dukje se, përgjithësisht, në gjysmën e parë të këtij viti, ekonomia kombëtare ishte e qëndrueshme, duke bërë përparim në transformimin dhe përmirësimin e saj.
Prodhimi i përgjithshëm i drithërave verore ishte 149.78 milionë tonë, 3.63 milionë tonë më shumë se shifra e vitit të kaluar, me një rritje prej 2.5 për qind. Vlera e shtuar totale e ndërmarrjeve industriale mbi madhësinë e përcaktuar u rrit me 6 për qind.
Një analizë sipas llojeve të pronësisë tregon se vlera e shtuar e ndërmarrjeve shtetërore u shtua me 4.6 për qind; e ndërmarrjeve aksionere 6.5 për qind; e ndërmarrjeve të financuara nga investitorë të huaj ose investitorë nga Hong-Kongu, Makaoja e Tajvani 4.3 % dhe e ndërmarrjeve private 5.7 %.
Foto:VCG
Ndërkohë, vlera e shtuar e shërbimeve u shtua me 4.6 për qind, ndërsa shitja totale me pakicë e mallrave të konsumit arriti në 23.6 trilionë juanë, me një rritje prej 3.7 për qind.
Shitjet në internet arritën 7.1 trilionë juanë, 9.8 për qind më shumë se në 6-mujorin e parë të vitit 2023. Shitjet në internet të mallrave fizike ishin 5.96 trilionë juanë, me një rritje 8.8 për qind, duke zënë 25.3 për qind të vëllimit të përgjithshëm të shitjeve të mallrave të konsumit. Shitjet me pakicë të shërbimeve u rritën me 7.5 për qind, kurse investimet në pasuri fikse (duke përjashtuar familjet rurale) kapën vlerën 24.54 trilionë juanë, me një rritje prej 3.9 për qind krahasuar me gjysmën e parë të 2023-shit. Investimet në pasuritë fikse u rritën me 8.5 për qind duke hequr investimet në pasuritë e patundshme. Investimet në infrastrukturë u shtuan me 5.4 për qind dhe në prodhim me 9.5 për qind, ndërsa në pasuritë e patundshme ranë me 10.1 %.
Në gjysmën e parë të vitit 2024, vlera totale e importit dhe eksportit të mallrave ishte 21.17 trilionë juanë, me një rritje prej 6.1 për qind, tha NBS. Vlera totale e eksporteve arriti 12.13 trilionë juanë, ndërsa e importeve 9.04 trilionë juanë, me një rritje përkatësisht 6.9 dhe 5.2 %. Suficiti tregtar ishte 3.09 trilionë juanë.
Foto:VCG
Treguesi i çmimeve të konsumit në gjysmëvitin e parë u rrit me 0.1 pikë përqindjeje, ndërsa në tremujorin e parë mbeti i pandryshuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme.
Sipas kategorive të mallrave, çmimet e ushqimit, duhanit e alkoolit u ulën 1.4 %, të veshjeve u rritën 1.6 %, të banesave 0.2 % e të mallrave e shërbimeve të përdorimit të përditshëm 0.9 %. Çmimet e transportit e komunikacionit u ulën 0.7 %, çmimet e arsimit, kulturës e zbavitjes u rritën 2.0 %, të shërbimeve mjekësore e kujdesit shëndetësor 1.4 % e të mallrave e shërbimeve të tjera 3.3%.
Në gjysmën e parë të vitit, norma e papunësisë së anketuar urbane ishte mesatarisht 5.1 për qind, 0.1 pikë përqindjeje më pak se në tremujorin e parë dhe 0.2 pikë përqindjeje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë vitin e kaluar. Ndërkohë, të ardhurat e disponueshme të familjeve në të gjithë vendin ishin mesatarisht 20 733 juanë, me një rritje nominale 5.4 për qind, ndërsa rritja reale ishte 5.3 për qind pas heqjes së faktorëve të çmimit.
Foto:VCG
Në lidhje me banimin e përhershëm, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat e disponueshme për frymë të familjeve urbane në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm ishin 27 561 juanë, me një rritje nominale prej 4.6 për qind dhe një rritje reale 4.5 për qind, ndërsa të ardhurat e disponueshme për frymë të familjeve rurale ishin 11 272 juanë, me një rritje nominale 6.8 për qind në vit dhe një rritje reale prej 6.6 për qind. Mesatarja e të ardhurave të disponueshme për frymë të familjeve në gjithë vendin ishte 17 358 juanë, me një rritje nominale prej 5.9 për qind në vit.