"Ne jemi optimistë për rritjen ekonomike të Kinës në një periudhë afatgjatë. Besojmë se, me zbatimin e më shumë politikave dhe zhvillimin e mëtejshëm, OSIM do të zhvillohet më tej," i tha Grupit Mediatik të Kinës Wang Mingzhi, zv.presidentja e prodhuesit të pajisjeve elektro-shtëpiake OSIM, pasi Kina publikoi të hënën të dhënat ekonomike kombëtare për gjysmën e parë të vitit.
Foto:CMG
Sipas llogaritjeve paraprake, PBB-ja e Kinës në gjysmën e parë të vitit ishte 61. 6836 trilionë juanë, me një rritje vjetore prej 5.0 % me çmime konstante. Në përgjithësi, prodhimi është rritur në mënyrë të qëndrueshme, kërkesa ka vazhduar të rimëkëmbet dhe nxitësit e rinj janë përforcuar. Ekonomia kineze ka vijuar prirjen e përmirësimit.
Kjo nuk është arritur lehtë. Prirja e rritjes ekonomike globale ka qenë e dobët këtë vit. Konfliktet gjeopolitike janë intensifikuar dhe disa vende perëndimore po bëjnë thirrje për "shkëputje prej Kinës". Në këtë sfond, ritmi i rritjes së PBB-së së Kinës në tremujorin e parë ishte më i shpejtë se i ekonomive të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Eurozona dhe Japonia. Rritja ekonomike e Kinës parashikohet të ketë qenë ndër të parat në gjysmën e parë të vitit dhe do të mbetet një motor i rëndësishëm e forcë stabilizuese për rritjen ekonomike botërore.
Por, çfarë mundësish të reja mund të ketë bota prej kësaj?
Foto:CMG
Së pari, është tregu gjigant kinez. Në gjysmën e parë të vitit, shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë u rritën me 3.7%, dhe shitjet me pakicë në internet u shtuan me 9.8 %. Në këtë proces, investimet e huaja kanë përfituar shumë. "Bayer", një kompani e njohur gjermane e shkencës së jetës, tha se, në vitet e fundit, ka arritur rritje të qëndrueshme të fitimeve përmes inovacionit digjital dhe bashkëpunimit me kompanitë kineze. Një e treta e biznesit të saj vjen nga bashkëpunimi me platformat kineze të tregtisë elektronike.
Përveç kësaj, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e politikave të Kinës kanë hapur hapësirë të gjerë zhvillimi për kompanitë e huaja. Heqja e njëanshme e vizave, shkurtimi i listës negative për hyrjen e investimeve të huaja dhe përmirësimi i shërbimeve, të gjitha këto u kanë dhënë kompanive të huaja një garanci për funksionimin e tyre në Kinë. Në gjysmën e parë të këtij viti, numri i ndërmarrjeve të sapokrijuara me investime të huaja në Kinë u rrit me 14.2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndër to, përqindja e investimeve të huaja në fushën e prodhimit me teknologji të lartë u rrit me 2.4 pikë përqindje. Investimet e huaja që shkojnë me prirjen e Kinës për zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore me siguri do të kenë më shumë përfitime.
Foto:VCG
Sot nisi në Pekin plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së. Në këtë mbledhje që do të zgjatë tre ditë, do të hartohen strategjitë për thellimin e mëtejshëm të reformës dhe nxitjen e modernizimit të stilit kinez. Opinioni ndërkombëtar në përgjithësi pret që Kina "do të vazhdojë të ofrojë perspektivat më të mira të rritjes në botë", duke sjellë mundësi të reja për kompanitë shumëkombëshe, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.(Zhang Yan/Artan)