Organet e pushtetit vendor në rajonet e prekura nga reshjet e rrëmbyeshme në Kinë, duke përfshirë qytetin Chongqing, provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore dhe provincën Anhui të Kinës Qendrore, po forcojnë operacionet e shpëtimit për të ndihmuar banorët e bllokuar nga përmbytjet.
Qyteti Neijiang i prekur nga përmbytjet/Foto:VCG
Ndërsa shirat po vazhdojnë në shumë krahina të vendit, Qendra Kombëtare Meteorologjike ruajti alarmin e verdhë për stuhitë e shiut në mëngjesin e së hënës, niveli i tretë në një sistem paralajmërimi me katër nivele.
Sipas Qendrës së Monitorimit Hidrologjik të qytetit Chongqing, 13 distrikte dhe konte përjetuan stuhi të dendura shiu midis orës 8 të mëngjesit të së shtunës dhe 8 të mëngjesit të së dielës, duke bërë që uji të tejkalojë nivelin e alarmit në gjashtë lumenj.
Niveli i ujit të lumit Daqingliu, i cili kalon në kufirin midis Sichuan-it dhe Chongqing-ut, u ngrit 0.29 metra mbi nivelin e alarmit në distriktin Rongchang në orën 16:00 të së dielës, duke çuar në përmbytje të banesave dhe tokave bujqësore. Autoritetet vendore organizuan menjëherë evakuimin e banorëve. Deri më 14:20 të dielën, 3 654 njerëz u zhvendosën.
Reshje të dendura shiu goditën qytetin Neijiang në provincën Sichuan të shtunën, duke shkaktuar rrëshqitje dheu. Zjarrfikësit kryen menjëherë operacionet e shpëtimit, duke evakuuar banorët nga zonat e ulëta të përmbytura, veçanërisht duke ndihmuar individët e moshuar në vështirësi lëvizjeje. U përdorën gomone e pompa thithëse uji për të garantuar sigurinë dhe kërkesat e banorëve të prekur.
Evakuimi në Rongchang, Chongqing/Foto:VCG
Ndërsa reshjet vazhduan, në Neijiang u zbatua një përgjigje emergjente e nivelit III për kontrollin e përmbytjeve në mëngjesin e së dielës.
Ndërkohë, në provincën Anhui të Kinës Qendrore, diga Wangjiaba, një mbrojtje kryesore nga përmbytjet lumit Huaihe, një nga rrugët ujore kryesore të Kinës që kalon nëpër zonën lindore të vendit midis lumit Jance dhe Lumit të Verdhë, regjistroi një nivel uji prej 27.51 metrash më 16:18 të shtunën, duke tejkaluar nivelin e alarmit
Në të njëjtën ditë, autoritetet vendore e ngritën përgjigjen emergjente në nivelin III, duke vënë në dukje se lumi Huaihe do të pësojë "përmbytjen nr. 1" të vitit 2024.
Foto:VCG
Ministria e Burimeve Ujore bëri të ditur të dielën se Kina po përjeton thatësira dhe përmbytje njëkohësisht, dhe përmbytjet pritet të përkeqësohen nga fundi i korrikut deri në fillim të gushtit. Në përgjigje të rritjes së dendurisë dhe seriozitetit të këtyre ngjarjeve ekstreme të motit, Ministria ka nisur të hënën një mekanizëm gjithëpërfshirës të parandalimit të përmbytjeve, duke marra masa mbrojtëse me objektiv të saktë në mbarë vendin. (Zhang Yan/Artan)