Foto nga VCG
Elon Musk, i cili ka kritikuar përgjatë kohëve të fundit Presidentin Amerikan Joe Biden për politikat e migracionit dhe sindikatat, mësohet se ka dhuruar para për një komitet të veprimit politik që mbështet fushatën presidenciale të republikanit dhe ish presidentit amerikan Donald Trump, shkruan Bloomberg, citon RTSH.
Megjithatë media nuk dha asnjë detaj mbi shumën që kreu i Space X dhuroi për fushatën presidenciale të republikanëve. Dhurimi i Elon Musk është bërë përmes Komitetit të Veprimit Politik, organizata këto që përjashtohen nga taksat dhe nuk janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejt me fushatat presidenciale të asnjë kandidati.
Por këto organizata përdorin fondet e dhuruar për të mbështetur kandidatë të caktuar, ose për të bërë fushata kundër kandidatëve që nuk pëlqejnë bazuar në reformat politike që ata prezantojnë. Njeriu më i pasur i botës është në mesin e dhjetëra donatorëve që po dhurojnë paratë e tyre për fushatën presidenciale të republikanit Donald Trump.
Ndërkohë e kundërta po ndodh me presidentin aktual Joe Biden, për të cilin demokratët dhe donatorët e kësaj partie janë të shqetësuar pas performacave të tij të dobëta ne daljet e tij publike.(Fatosi)