foto nga VCG
Dhjetëra persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror izraelit në një kamp refugjatësh në Gazën jugore.
Autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi thanë se të paktën 289 persona ishin plagosur gjatë sulmit në kampin Al-Mawasi, shkruan “ATSH”.
Mediat izraelite raportuan se objektivi i sulmit ishte Mohammed Deif, udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit në Gazë. Nuk dihet për fatin e tij.
Ministria e Jashtme izraelite njoftoi se ishte duke hetuar sulmin ajror.
foto nga VCG
Sipas kësaj ministrie, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, kishte kryer një vlerësim të situatës operacionale së bashku me shefat ushtarakë dhe të shërbimeve sekrete.
Një nga synimet qendrore të Izraelit në konfliktin aktual është kapja ose vrasja e Deifit dhe liderit të Hamasit në Rripin e Gazës, Yehya al-Sinwar.
Udhëheqësi i tretë më i vjetër i Hamasit në Gaza, Marwan Issa, thuhet se u vra në mars.
foto nga VCG
Stafi në Spitalin Nasser raportoi mungesë të shtretërve për të akomoduar numrin e madh të të plagosurve pas sulmeve.
Ushtria izraelite bëri të ditur se operacionet po vazhdonin në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë edhe qytetin e Gazës.
Forcat izraelite njoftuan se kishin shkatërruar tunele të shumta dhe kishin vrarë disa anëtarë të Hamasit në qytetin jugor të Rafahut. (Irma)