foto nga VCG
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se dëshiron të përmirësojë raportet me shtetet europiane, edhe pse ai i akuzoi ato se po refuzojnë të angazhohen në zbutjen e ndikimit të sanksioneve të vendosura nga SHBA.
Pezekishan ka bërë thirrje për raporte konstruktive me shtetet perëndimore që ta nxjerrin Iranin nga izolimi, shkruan “RTSH”.
Ai po ashtu është në favor të ringjalljes së marrëveshjes bërthamore që u arrit në vitin 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.
SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja më 2018-n dhe rivendosi sanksione, ndërsa Irani gradualisht shkeli marrëveshjen. Marrëveshja synonte uljen e aktivitetit bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të vendosura ndaj Republikës Islamike. Irani insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Në një shkrim të publikuar në mediet vendase, Pezeshkian tha se pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, shtetet europiane u zotuan se do ta ringjallnin marrëveshjen dhe do të ndihmonin në zbutjen e ndikimit të sanksioneve amerikane.
“Shtetet europiane i kanë refuzuar këto zotime. Pavarësisht këtyre gabimeve, unë mirëpres angazhimin për në një dialog konstruktiv me shtetet europiane që raportet tona të vendosen në rrugën e duhur, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë dhe të trajtimit të barabartë”,- shkroi presidenti iranian. (Irma)