foto nga VCG
Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, Hristijan Mickoski dhe Viktor Orban, ranë dakord në Uashington për një bashkëpunim të veçantë ekonomik, sipas të cilit qeveria hungareze do t’i japë qeverisë maqedonase një hua prej 500 milionë eurosh me kamatë 3.25 për qind, për një periudhë 15-vjeçare, bën të ditur “RTSH”.
Përveç kësaj, vendi do të mund të aplikojë për mbështetje ekonomike shtesë.
foto nga VCG
“Me kryeministrin e qeverisë hungareze, Viktor Orban, pata një takim jashtëzakonisht cilësor dhe të frytshëm. Biseduam për disa tema, duke përfshirë edhe temën që është ndoshta më e rëndësishmja për qytetarët e Maqedonisë. Ramë dakord që në të ardhmen të vendosim një bashkëpunim të veçantë ekonomik, diçka që do të thotë siguri dhe stabilitet financiar për ekonominë tonë maqedonase”,- informoi Mickoski pas takimit.
foto nga VCG
Bashkëpunimi i veçantë ekonomik nënkupton që në të ardhmen, kur të ketë nevojë, Maqedonia e Veriut sërish do të mund të marrë hua nga qeveria hungareze. (Irma)