Frontex: Rënie e ndjeshme e kalimeve të parregullta drejt BE-së
2024-07-13 16:25:32

foto nga VCG

foto nga VCG

Numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Europian në gjashtë muajt e parë të vitit ra me pothuajse një të tretën (-30%), në rreth 94.000, sipas të dhënave paraprake të mbledhura nga Agjencia Europiane e Kufirit, Frontex.

Ndër rrugët kryesore të emigrimit, Ballkani Perëndimor dhe Mesdheu Qendror shënuan uljet më të mëdha (përkatësisht -72% dhe -61%), ndërsa Afrika Perëndimore dhe kufiri tokësor Lindor (Baltik dhe Poloni) shënuan rritjet më të mëdha (+174% dhe 148% respektivisht).

Linja e Mesdheut Qendror, e cila një vit më parë kishte shënuar numrin më të madh të kalimeve të parregullta, ka vijuar të ketë një tendencë rënëse në muajt e fundit, shkruan “ATSH”. 

foto nga VCG

foto nga VCG

“Në qershor, numri i të ardhurve ra në 4500, një rënie prej më shumë se 71% krahasuar me vitin e kaluar”,- vëren Frontex-i.

Rruga e dytë më aktive migratore në gjysmën e parë të vitit ishte Mesdheu Lindor, ku numri i të ardhurve u rrit me 75%, duke arritur pothuajse 25.000 njerëz.

Emigrantet (Foto Atsh)

Emigrantet (Foto Atsh)

Rruga e Afrikës Perëndimore vazhdoi të regjistrojë një numër të paprecedentë zbulimesh, me një rritje prej 174% të numrit të përgjithshëm të emigrantëve të parregullt që mbërrijnë në Ishujt Kanarie, në Spanjë, në gjysmën e parë të vitit. Në gjashtë muajt e parë ka pasur gjithashtu një rritje të ndjeshme të kalimeve të parregullta në kufijtë tokësorë lindorë, me një rritje të mprehtë prej 148% në mbi 6700 persona. Shumica e personave të zbuluar në këtë itinerar ishin shtetas ukrainas. (Irma)