foto nga VCG
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të respektojë Marrëveshjen e Prespës, si një mënyrë për të ndërmarrë hapa drejt një qasjeje europiane.
Në konferencën për shtyp pas punimeve të samitit të NATO-s në Uashington, kryeministri grek është pyetur nga gazetarët për homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Mickoski, në lidhje me mosrespektimin e marrëveshjen së Prespës për përdorimin e emrit kushtetues brenda vendit të tij.
“Natyrisht, dua të theksoj se në sallë dhe në prani të të gjithë drejtuesve të NATO-s, ai nuk e ndoqi këtë taktikë dhe përdori emrin kushtetues të vendit të tij”,- ka deklaruar Mitsotakis, citon “RTSH”.
“Përtej kësaj, besoj se në një mënyrë apo në një tjetër udhëheqja e vendit fqinj do të kuptojë se kjo taktikë është krejtësisht kundërproduktive. Marrëveshjet duhet të respektohen. Ne duam që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë hapa drejt një qasjeje europiane. Megjithatë, kjo presupozon respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe respektimin e marrëveshjeve që vendi ka nënshkruar. Besoj se në një mënyrë apo tjetër kjo është diçka që udhëheqja e Shkupit do ta kuptojë”,- tha ai.
Sipas tij, në çdo rast, Greqia nuk do të zbulojë në këtë moment armët që ka në dispozicion për t’iu përgjigjur një këmbënguljeje të mundshme të lidershipit të vendit fqinj në këtë taktikë.
Midis dy vendeve është krijuar tension pasi autoritetet e larta të Maqedonisë së Veriut, pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre presidenciale, kanë zgjedhur të mos zbatojnë një nen thelbësor të Marrëveshjes së Prespës në lidhje me emrin e unifikuar të shtetit fqinj brenda dhe jashtë vendit dhe ta quajë thjesht “Republika e Maqedonisë” brenda kufijve, diçka që është e ndaluar nga marrëveshja. (Irma)