foto nga VCG
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka hedhur poshtë kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të hequr të gjitha kufizimet në përdorimin e armëve të furnizuara nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.
“Askush nuk po planifikon të ndryshojë masat dhe udhëzimet e mëparshme për arsye të mirë. Është detyra jonë të sigurojmë që të ofrojmë mbështetje maksimale për Ukrainën, por të parandalojmë që lufta të përshkallëzohet në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s. Dhe kjo kërkon mençuri, qartësi dhe qëndrueshmëri”,- deklaroi Scholz në fund të Samitit të NATO-s në Uashington, shkruan “ATSH”.
foto nga VCG
Aleatët më të rëndësishëm të Ukrainës, përfshirë Gjermaninë, autorizuan Ukrainën në fund të majit që të përdorë armët e ofruara prej tyre për të sulmuar pozicionet ushtarake në disa pjesë të territorit të Rusisë, për të parandaluar sulmet ruse në qytetin kufitar ukrainas të Kharkiv.
foto nga VCG
Në samitin e NATO-s në Uashington këtë javë, Zelensky u kërkoi liderëve të heqin kufizimet se si forcat e vendit të tij mund të përdorin armët që ata furnizojnë.
“Nëse duam të fitojmë, nëse duam të mbizotërojmë, nëse duam të shpëtojmë vendin tonë dhe ta mbrojmë atë, duhet të na hiqen të gjitha kufizimet”,- tha Zelensky. (Irma)