Huawei shfaq teknologjinë e saj 5G në Hanover Messe, Hanover, Gjermani, 1 prill 2024./CFP
Ambasada kineze në Gjermani shprehu të enjten pakënaqësi të madhe dhe kundërshtim të fortë ndaj vendimit të Gjermanisë për heqjen graduale nga rrjetet e saj 5G të përbërësve kinezë të telekomunikacionit.
Ministria e Brendshme Federale e Gjermanisë e njoftoi vendimin të enjten, duke përmendur të ashtuquajturit "rreziqe të sigurisë".
Në një deklaratë, ambasada kineze tha se një vendim i tillë bazohet në akuza të pathemelta, pasi kompanitë kineze, përfshirë "Huawei" dhe ZTE, e kanë ushtruar veprimtarinë e tyre në Gjermani për një kohë të gjatë në përputhje me ligjet e rregullat, duke dhënë ndihmesë në procesin e digjitalizimit të Gjermanisë.
Të ashtuquajturat "rreziqe ndaj sigurisë së rrjetit" janë thjesht një justifikim nga disa vende për të ruajtur hegjemoninë teknologjike dhe për të shtypur konkurrentët, thuhet në deklaratë, duke shtuar se nuk ka prova që të tregojnë se këto kompani kineze janë rrezik për ndonjë vend.
Duke vënë në dukje se Kina gjithmonë ka mbajtur një qëndrim të hapur ndaj kompanive evropiane, si "Nokia" dhe "Ericsson", në ndërtimin e rrjetit të vet 5G, deklarata vijon duke thënë se kjo masë e Gjermanisë do të dëmtojë rëndë besimin e ndërsjellë dhe do të ndikojë në bashkëpunimin e ardhshëm Kinë-BE në fushat përkatëse.
"Trajtimi nga Gjermania i kësaj çështjeje në mënyrë të drejtë e të ndershme do të jetë një gur prove për mjedisin e saj të biznesit," thekson deklarata, duke shtuar se Gjermania dhe Evropa në përgjithësi nuk duhet të kërkojnë konkurrencë të drejtë nga njëra anë, teksa, nga ana tjetër, të imponojnë politika diskriminuese ndaj kompanive nga një vend tjetër mbështetur në akuza pa bazë.
Kina do të marrë të tëra masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e ligjshëm të kompanive kineze, përmbyllet deklarata.