Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) ka bërë të ditur se objektet e saj në Gaza kanë qenë nën shënjestrën e 453 sulmeve izraelite që nga 7 tetori 2023, shkruan “RTSH”.
Foto:VCG
“Dy të tretat e shkollave tona në Gaza janë goditur, me 524 njerëz të strehuar në objektet tona të vrarë”,- thuhet në një deklaratë të UNRWA-së.
Komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-së, Filippo Lazzarini, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, para se të humbet ajo çka ka mbetur nga njerëzimi i përbashkët.
Të martën, të paktën 25 persona u vranë dhe 53 të tjerë u plagosën në një sulm izraelit ndaj një shkolle që strehonte personat e zhvendosur në qytetin Abasan, në lindje të Khan Younis në Rripin jugor të Gazës.
Foto:VCG
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të ofensivës së tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga një sulm i 7 tetorit 2023 nga Hamasi.
Afro 38.300 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe të paktën 88.241 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Nëntë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. (Irma)