Foto nga VCG
Plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së, që do të zhvillohet së shpejti, po tërheq vëmendjen globale. Kina do të thellojë më tej reformën në mënyrë të gjithanshme, duke u fokusuar në promovimin e modernizimit kinez. Sipas tre sondazheve globale të kryera nga CGTN-i, 76.9 për qind e të anketuarve i vlerësojnë lart arritjet e zhvillimit me cilësi të lartë të Kinës dhe presin që Kina të thellojë më tej reformën, për të sjellë më shumë mundësi për botën.
Që nga Kongresi i 18-të i PKK-së, janë zbatuar më shumë se 2 000 politika reformash, duke mbuluar shumë fusha, si ekonomia, politika, kultura, shoqëria dhe ekologjia. Kina ka pasur rezultate të jashtëzakonshme: rritja e PBB-së së saj renditet në krye të ekonomive kryesore të botës, përparim i rëndësishëm është bërë në ndërtimin e një sistemi industrial modern dhe arritje të shumta janë kryer në risitë shkencore dhe teknologjike. Në Kinë të ardhurat e disponueshme për frymë janë rritur dhe është bërë përparim i jashtëzakonshëm në ndërtimin e një qytetërimi ekologjik. Në sondazhe, 80.3 për qind e pjesëmarrësve e vlerësojnë zhvillimin ekonomik të Kinës, duke besuar se ai do të sjellë më shumë përfitime për botën, 85.2 për qind janë optimistë për hovin ekonomik afatgjatë të Kinës dhe 93.2 për qind e vlerësojnë fuqinë shkencore dhe teknologjike të Kinës. Ndërkohë, 85.4 për qind e të anketuarve i pranojnë arritjet e Kinës në fushën e inovacionit të pavarur, kurse 78.5 për qind besojnë se industritë e gjelbra do të ofrojnë mbështetje të fortë për zhvillimin me cilësi të lartë të Kinës.
Drejtimi përcakton të ardhmen, dhe rruga është çështje fati. Përballë kërkesave të reja të zhvillimit, Kina ka propozuar "zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore në përputhje me kushtet vendore", për t'i dhënë më shumë gjallëri zhvillimit me cilësi të lartë. Në sondazhe, 87.1 për qind e pjesëmarrësve globalë janë plotësisht të mendimit se forcat e reja prodhuese cilësore do të ndihmojnë që procesi i modernizimit kinez të jetë i shpejtë dhe i mirë. Pika fillestare dhe qëllimi i reformës është t'u mundësojë njerëzve një jetë më të mirë. 84.3 për qind e të anketuarve vlerësojnë parimin e Kinës të vënies së njeriut në qendër, duke besuar se Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar që nga frytet e reformës të përfitojë i gjithë populli në mënyrën më të drejtë. Nga ana tjetër, 91.9 për qind e pjesëmarrësve në sondazhe pajtohen me idenë e Kinës se "zhvillimi nuk duhet të bëhet në kurriz të mjedisit" dhe me praktikën e Kinës për të promovuar bashkëjetesën harmonike ndërmjet njeriut dhe natyrës.
Duke vazhduar thellimin e reformave, Kina ka sjellë mundësi të reja për botën dhe ka ofruar përvojë të rëndësishme e të çmuar për vendet e Jugut Global. 79.6 për qind e atyre që u përgjigjën në sondazhe e njohin plotësisht kontributin e rëndësishëm të Kinës në rritjen e ekonomisë botërore, 73.6 për qind thonë se mjedisi i biznesit i Kinës është tërheqës për investitorët globalë, teksa 73.3 për qind besojnë se niveli i lartë i hapjes së Kinës do të sjellë mundësi për botën. Ndërkohë, 93.8 për qind janë të mendimit se të mirat publike ndërkombëtare, si nisma "Një brez, një rrugë" e iniciuar nga Kina, sjellin mundësi zhvillimi për të gjitha vendet, 84.5 për qind besojnë se zhvillimi i Kinës ofron një referencë të re për vendet e tjera, 74 për qind presin që Kina të ndajë më shumë përvojë në zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë për të arritur një zhvillim të përbashkët dhe 81.9 për qind mendojnë se Kina është një vend plot mundësi dhe zhvillimi i saj do të vazhdojë të ofrojë mundësi për botën.
Në sondazhe morën pjesë 15 037 veta prej mbarë botës, duke përfshirë vendet e zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja e Australia, dhe vendet në zhvillim, si Brazili, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Afrika e Jugut.