Konfuci, filozof i njohur kinez, la pas një trashëgimi urtësie të përmbledhur në "Analektet e Konfucit". Këtu ne do të shqyrtojmë disa citate të thella që vazhdojnë të rezonojnë edhe sot.
"Ata që e dinë të vërtetën, nuk mund të krahasohen me ata që e duan atë; ata që e duan të vërtetën, nuk mund të krahasohen me ata që kënaqen prej saj"
Citati i parë thekson nivelet e ndryshme të angazhimit me të vërtetën dhe njohjen. Njohja e së vërtetës është hapi i parë, por është një gjendje pasive. Të duash të vërtetën nënkupton një përkushtim e pasion më të thellë për të kuptuar. Kënaqësia prej së vërtetës përfaqëson formën më të lartë të angazhimit, ku njeriu gjen gëzim e përmbushje në kërkimin dhe zbatimin e dijes.
"Të mençurit nuk kanë dyshime, mirëbërësit nuk kanë ankth dhe trimat nuk kanë frikë"
Citati i dytë nxjerr në pah virtytet që çojnë në një jetë harmonike: mençuria sjell qartësi e mosdyshim; mirësia nxit një ndjenjë paqeje e sigurie; guximi i fuqizon individët për t'u përballur me sfidat.
"Të mësosh pa menduar është mund i kotë, të mendosh pa mësuar është një përpjekje e rrezikshme"
Citati i tretë nënvizon rëndësinë e gërshetimit të të mësuarit me të menduarit kritik. Thjesht mbledhja e njohurive pa një reflektim është diçka e kotë, pasi të çon në një të kuptuar sipërfaqësor. Po ashtu, edhe të menduarit pa një bazë njohjeje është i rrezikshëm, sepse mund të të shpjerë në përfundime të gabuara. (Xu Guang)