Studimet kanë treguar se gratë vuajnë më shumë nga mungesa e gjumit sesa burrat. Orët mesatare të gjumit të tyre janë të ulëta dhe variojnë rreth 6.5 orë.
Faza të caktuara të jetës së një gruaje, si periudha pas menopauzës si dhe periudha pas lindjes, shoqërohen me luhatje hormonale që krijojnë çrregullime të gjumit, shkruan “Panorama”.
Për shkak të rolit të nënës, truri i grave ka një nivel më të lartë vigjilence dhe gatishmërie gjatë gjumit. Ky fakt i lejon ato të zgjohen më lehtë dhe më shpejt, kur edhe gjëra të vogla ndodhin gjatë gjumit.
Truri i grave është më i ndjeshëm ndaj stimujve të ndryshëm gjatë gjumit, ato priren të zgjohen më menjëherë dhe kështu kanë një shans më të madh për të përjetuar një mungesë më të madhe gjumi me kalimin e kohës.
Përkundër faktit se gratë kanë një pjesëmarrje të vazhdueshme dhe në rritje në arenën profesionale, ato megjithatë ruajnë pa pakësuar rolin e tyre si nëna dhe si mbështetja kryesore e familjes.
Detyrat në karrierën e tyre profesionale nuk kanë si masë kompensuese më pak detyrime në shtëpi, ndaj fëmijëve apo ndaj bashkëshortit.
Rritja e roleve të grave i krijon atyre një kosto serioze me pasoja ndonjëherë të mëdha. Shumë shpesh një nga efektet e kësaj mbingarkese është humbja e orëve të gjumit. Për të qenë në gjendje të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre, gratë pakësojnë orët e gjumit.
Në studim thuhet se gratë janë dhe më të ndjeshme ndaj dhembjeve të muskujve dhe depresionit, faktorë që kontribuojnë në mungesën e gjumit.