Shqipëria hap ambasada në Indi, Kenia dhe Indonezi
2024-04-19 12:13:05

Ministria e Jashtme (Foto Panorama)

Qeveria shqiptare vendosi për hapjen e ambasadave në Kenia, Indi dhe Indonezi. Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, deklaroi se kjo do të forcojë edhe më shumë pasaportën shqiptare në botë, shkruan “Panorama”.

Sipas ministrit, hapja e tre përfaqësive diplomatike shqiptare në këto vende bëhet duke u nisur edhe nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitura nga kërkesa e vazhdueshme për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme.

“Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë. Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja”,- deklaroi ministri Hasani. (Irma)