Shqipëria ka një raport të vdekshmërisë amtare prej 8 për 100.000 lindje
2024-04-19 15:10:04

Lindjet (Foto Panorama)

Në raportin “Gjendja e Popullsisë së Botës 2024”, i Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues, UNFPA, në pjesën për Shqipërinë thuhet se përmirësimi i shëndetit seksual dhe riprodhues vazhdon të jetë një qëllim i rëndësishëm, duke reflektuar përparimin dhe sfidat në këtë fushë, shkruan “Panorama”.

Sipas të dhënave të raportuara për vitin 2024, Shqipëria ka një raport të vdekshmërisë amtare prej 8 për 100.000 lindje të gjalla, një tregues i rëndësisë së kujdesit shëndetësor për gratë gjatë shtatzënisë dhe lindjes.

Në Shqipëri, 100% e lindjeve janë të mbikëqyrura nga personel shëndetësor i kualifikuar, përfshirë mjekë, infermiere dhe mami, çfarë dëshmon nivelin e kujdesit shëndetësor në momentin e lindjes, një faktor ndikues në uljen e vdekshmërisë amtare.

Sa i takon përdorimit të metodave të ndryshme për planifikimin familjar në vend, në vitin 2022, prevalenca e kontraceptivëve për gratë në moshën 15-49 vjeç për çdo metodë ishte 33%, ndërsa për metodat moderne ishin 45%.

Në Shqipëri, përpjekjet për të përmbushur qëllimet e Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD), si pjesë e angazhimeve për të arritur Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm janë të vazhdueshme në fushën e të drejtave për barazi dhe zhvillim të kapitalit njerëzor.

Raporti fakton me shifra se në aspektin e marrëdhënieve dhe vendimmarrjes për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat riprodhuese, 62% e grave i kanë marrë vetë vendimet, ndërsa për shëndetin e tyre personal, kjo shifër është 92%. Në marrëdhënie me përdorimin e kontraceptivëve dhe marrëdhëniet seksuale, 83% dhe 77% e grave respektivisht kanë marrë pjesë në vendimmarrje. (Irma)