WBIF: BE çon përpara hekurudhën për Korridorin 8 edhe në segmentet shqiptare
2024-04-19 12:14:44

Hekurudhe (Foto Panorama)

Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) njoftoi se Komisioni Europian po çon para projektet hekurudhore që shoqërojnë Korridorin VIII.

Kostoja e totale e hekurudhës nga Durrësi në Bullgari është llogaritur në 2 miliardë euro, nga të cilat rreth 420 milionë euro do të investohen në pjesën shqiptare në dy segmentet e hekurudhës nga Durrësi në Rrogozhinë dhe më pas nga Rrogozhina në kufirin me Maqedoninë e Veriut, shkruan “Panorama”.

Informacionet nga WBIF-ja tregojnë se projektet në pjesën shqiptare janë në fazën përgatitore. Rrjeti hekurudhor formon lidhjen e brendshme lindje-perëndim midis Detit të Zi dhe detit Jon, duke kaluar përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Me ndihmën financiare të BE-së për përgatitjen e projekteve dhe bashkëfinancimin e investimeve sipas Planit Ekonomik, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po përmirësojnë linjat ekzistuese dhe duke ndërtuar hallkat që mungojnë përgjatë Korridorit VIII.

Shtrirja lindore e Korridorit VIII, e cila ndërlidh Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë dhe Shqipërinë është pjesë e zgjerimit të rrjetit kryesor të Transportit Trans-Europian.

BE-ja është duke zbatuar strategjinë “Global Gateway” që lidh vendet dhe rajonet në mbarë botën, duke nxitur investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit.

Në sektorin e transportit, kjo strategji promovon investime në infrastrukturë që krijojnë mënyra transporti të qëndrueshme, të zgjuara, elastike, gjithëpërfshirëse dhe të sigurta.

BE-ja ka ofruar asistencë teknike për përgatitjen e projektit dhe bashkëfinancon segmentet e hekurudhës. (Irma)