Ministrja Kumbaro prezanton në Athinë projektet turistike shqiptare
2024-04-19 16:03:14

Ministrja Kumbaro (Foto Rtsh)

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, prezantoi në konferencën ndërkombëtare “Oqeani ynë”, të zhvilluar në Athinë, modelin e Shqipërisë mbështetur te zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, shkruan “RTSH”.

Kumbaro ishte folëse në panelin kushtuar turizmit të qëndrueshëm dhe ekonomisë blu, së bashku me homologen greke Olga Kefalogianni dhe ministra e sipërmarrës të industrisë së turizmit.

Ministrja u shpreh se Shqipëria është një vend që nuk ndot në nivel global dhe ka energji 100% të rinovueshme, teksa po ndërton një model të turizmit të qëndrueshëm.

Ministrja Kumbaro u ndal edhe te modeli i lumit Vjosa, i mbrojtur si Park Kombëtar, ku tashmë do të nisë edhe projekti për pastrimin dhe trajtimin e ujërave të ndotur që derdhen në të.

Ajo theksoi se Shqipëria e ka në fokus mbrojtjen e cilësisë së ujërave, jo vetëm me projektin e trajtimit të ujërave të ndotura që derdhen në Vjosë nga 8 bashki, por edhe me të gjitha masat që të gjitha strukturat buzë detit duhet të zbatojnë për të rritur cilësinë e ujërave larës, te projekti “EU4Rivers” me Bashkimin Evropian dhe iniciativat ligjore që reduktojnë plastikën njëpërdorimëshe, siç ishte rasti i ndalimit të qeseve plastike njëpërdorimëshe dhe së shpejti miratimi i ligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit.

Konferenca “Oqeani ynë” mblodhi ministra dhe politikanë të nivelit të lartë nga e gjithë bota. (Irma)