Këshilli i Europës heq monitorimin ndaj Shqipërisë
2024-04-19 14:35:36

Flamuri i Shqipërisë dhe BE-se (Foto ATSh)

Flamuri i Shqipërisë dhe BE-se (Foto ATSh)

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi me 52 vota për daljen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim nga Këshilli i Evropës, shkruan “ATSH”.

Ambasadori i Shqipërisë në KiE, Dastid Koreshi, deklaroi në një intervistë televizive se ky vendim lidhet me dy faktorë të rëndësishëm; reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.

“Pas 29 vitesh KiE ka vendosur që të vlerësojë Shqipërinë në raport për dy indikatorë të rëndësishëm. I pari, ka qenë reforma në drejtësi. E dyta, dalja e Shqipërisë në tetor 2023 nga monitorimi i intensiv Moneyval, një luftë e pastër dhe e vazhdueshme kundër korrupsionit. Shqipëria ka plotësuar 19 rekomandime të vështira, gjë që janë vlerësim dhe inkurajim për të vazhduar më tej”,- tha ai.

Ambasadori Koreshi u shpreh se çdo vlerësim që bëhet nga KiE, reflekton në ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE.

“Janë të lidhura së bashku, KiE ka një rëndësi më të madhe për Ballkanin Perëndimor. Rreth 70 për qind e gjetjeve të KiE-së pasqyrohen në raportin e KE-së dhe do të thotë se duhet të jemi të angazhuar, pasi çdo vlerësim i KiE-së reflektohet edhe në rrugëtimin e Shqipërisë në BE”,- tha ambasadori Koreshi.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar me 52 vota pro daljes së vendit tonë nga lista e monitorimit e këtij organizmi të rëndësishëm. (Irma)