Instrumentisti Arben Asllanaj, ka lindur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në vitin 1973. I rritur në një familje artistësh, ai muzikën e ka nisur që në moshë të vogël dhe ka studiuar në shkollën e ulët të muzikës në degën e klarinetës në Shkup. Shkollën e mesme e filloi në Shkup dhe më pas u transferua në Prishtinë ku kreu Fakultetin, dega klarinetë. Babai i Arbenit është profesor i muzikës, poashtu dhe nëna e tij, ndërsa vëllai i tij është trombonist, kitarist dhe profesor i muzikës, po ashtu bashkëshortja e tij është pianiste. Gjithashtu këtë traditë muzikore ata e kanë përcjellë edhe tek fëmijët e tyre.
Arben Asllana jme ansamblin frymor Corona (Foto nga facebook)
Aktivitetin më të madh artistik Arbeni e ka zhvilluar me grupin e njohur "Corona", i cili u formua rreth viteve 1989/90, i cili edhe sot vepron me tè njejtin intensitet. Pas angazhimit në Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke drejtuar klasën e klarinetës, me vullnetin dhe punën e tij Arbeni ka kontribuar në formimin e studentëve të tij. Përveç impenjimeve të shumta ai ka sjellë edhe një album individual me instrumentale moderne, me titullin “Frymë”.
Aktualisht Arbeni vazhdon të jetë anëtar i grupit “Corona”, anëtar i ‘Oxygen band’ dhe profesor i klarinetës në shkollën e ulët, të mesme (llija Nikolovski - Lui) si dhe profesor pranë USHT-së.
Arben Asllanaj (Foto me nxënësit)
CMG: Prej 3 dekadash je instrumentist i grupit "Corona". Si kanë qenë për ty këto 30 vite me këtë grup muzikor?
Arben Asllanaj: Edhe më shumë se tre dekada kanë kaluar me grupin "Corona". Isha shumë i ri kur u afrova tek ky grup, por jam shumë i lumtur për rritjen time profesionale, si dhe që kisha në krah edhe instrumentistë fantastikë, njëherësh edhe personalitete të mëdha e shumë të mirë. Edhe pse isha më i riu, respekti ishte i ndërsjelltë dhe vazhdon të jetë ende. "Corona" ishte dhe është një moment kyç i jetës sime, me gjithë aktivitetet që kishim së bashku.
CMG: Gjithashtu je pedagog i muzikës dhe jep mësim lëndën e klarinetës. Si i sheh të rinjtë e sotëm në përkushtimin e tyre artistik?
Arben Asllanaj (Foto nga facebook)
Arben Asllanaj: Është e vërtetë. Momentalisht jam profesor i klarinetës në Shkup. Për mua është mjaft kënaqësi të punoj me fëmijë të moshave të ndryshme. Çdo fëmijë ka yllin e tij, karakterin e tij, për këtë edhe puna ndryshon e ka gjithmonë freski. Të rinjtë dhe të rejat që zgjedhin që të mësojnë një instrument janë gjithmonë entuziastë sepse instrumenti nuk bëhet ne zor, por buron prej një dëshire të madhe shpirtërore. Ndoshta më lehtë e kisha kur isha i angazhuar në Universitetin e Tetovës dhe punoja me studentë. Shkaku i moshës dhe pjekurisë së tyre, si dhe peshës më të madhe të veprave që punonim.
CMG: Përveç impenjimeve me grupin, ke sjellë edhe një projekt muzikor individual instrumental-klasik me titullin "Frymë". Na trego për këtë
Arben Asllanaj (Foto nga facebook
Arben Asllanaj: Edhe pse është një projekt individual, unë e konsideroj si një punë e përbashkët e grupit "Corona", si dhe me Jeton Dolakun, i cili ishte krahu kryesor. Ideja ishte që të përfshiheshin këngë e valle nga të gjitha trevat shqiptare dhe të ketë një dozë moderniteti dhe një sharm tjetër, me vetëm melodi nga klarineta. Ky album është pritur mjaft mirë nga publiku. Edhe pse ka kaluar kohë e gjatë nga publikimi i "Frymë", edhe më shumë kërkohet. Kënga shqipe është e bukur dhe e kërkuar nga shqiptarët nga të gjitha trojet.
CMG: Prej disa vitesh je pjesë e bandës muzikore në programin "Oxygen", ku përveçse interpreton, merr pjesë edhe në program me batuta humori.... Flasim për angazhimin tëndin aty.
Arben Asllanaj me familjen (Foto personale)
Arben Asllanaj: "Oxygen" është një show që ekziston që prej 16 vjetësh, për këtë fakt duket që është një sukses i madh. "Oxygen band" është e shkëlqyer, jemi një grup i mirë i instrumentistëve profesionistë. Besimi, prezantuesi përfshihet me çdo njeri. Në biseda dhe humor na inkuadron edhe neve si staf. Të gjithë e presin me padurim këtë emsion. Në këtë program ka patur shumë të ftuar dhe të gjithë janë larguar me mbresat më të mira. Sidomos kur kemi patur kolegët tanë shqiptarë ka qenë gjithmonë kënaqësi
CMG: Ti ke shumë angazhime edhe në evente apo festivale të ndryshme, ndër të cilat ke qenë Drejtor Artistik në festivalet e mbajtura në Maqedoninë e Veriut. Si e sheh të ardhmen e të rinjve në muzikë sot?
Arben Asllanaj: Angazhimet në muzikë janë gjithmonë të mirë se ardhura dhe i bëj pa përtesë. Secila eksperiencë diçka të le, të mëson dhe unë jam i hapur për çdo bashkëpunim. Kjo është edhe më e bukur, kur nuk llogaritet vetëm si kontribut personal, por si kontribut i imi, i shoqërisë, i të rinjve dhe të rejave. Muzika nuk ka kufi, ajo ecën, ndryshon, lulëzon dhe na duhet ta ruajmë sa më mirë këtë dashuri, e duhet ta përcjellim edhe në gjeneratat e reja. Besoj se të gjithë ata që kanë filluar dhe do të fillojnë të merren me muzikë e kanë rrugën e hapur për ta çuar më tutje këtë hap në çdo lloj zhanri që prezantohen. Çdo zhanër muzikor e ka publikun e vet, me shpresën që ajo që serviret të jetë sa më e pastër dhe e sinqertë.
Arben Asllanaj me familjen (Foto personale)
CMG: Ti vjen nga një familje artistësh ku të gjithë merren me muzikë. Por si lindi tek ty dëshira për t’u marrë me muzikë?
Arben Asllanaj: Prindërit e mi kanë punuar arsimtarë të muzikës dhe në familjen tonë e kishim dhe e kemi gjithmonë frymën e artit. Kishim shumë instrumente që prindërit e mi i zortëronin, madje mblidheshim familjarisht ku këndonim shumë. Dikur këto kanë qenë argëtimet familjare, më ndryshe se sot. E mbaj mend që kur isha i vogël e mblidheshim shpesh, deshe s’deshe dashuria për muzikën të hyn në gjak, e jo vetëm si trashëgimi familjare e gjenetike.
CMG: Gjithashtu edhe në familjen tënde jeni të gjithë muzikantë, bashkëshortja dhe fëmijët. Jam kurioze të di, se cilat janë diskutimet e shumta në familjen tuaj rreth muzikës?
Arben Asllanaj: Bashkëshortja është pianiste njëherësh edhe profesoreshë e pianos. Ne jemi njohur që në shkollën e mesme dhe që prej atëherë jemi bashkë dhe kemi dy djem, Orfeun dhe Lisin, madje edhe ata merren me muzikë. Besoj se si ata edhe bashkëshortja që në fëmijëri janë rritur me muzikën, por asnjëherë nuk ka qenë e imponuar.
CMG: A merrni mendimin e njëri-tjetrit për çdo hap në këtë fushë?
Arben Asllanaj në programin Oxygen (Foto nga facebook)
Arben Asllanaj: Të dy zgjodhën të merren me muzikë, e sigurisht që kjo na e bën më të lehtë diskutimin familjar me temat që kanë të bëjnë me këtë art. Është e bukur se të gjithë i kemi shijet e ndryshme muzikore dhe jemi të hapur për mendimet e njëri- tjetrit mbi këto tema.
CMG: Cilat janë planet për të ardhmen me grupin “Corona”, por edhe individualisht?
Arben Asllanaj: Me grupin “Corona” jemi në diskutime për një koncert jubilar me shumë këngëtarë dhe kolegë dhe besoj se do të realizohet së shpejti. Ndërsa unë personalisht do të vazhdoj që të realizoj instrumentale në të dyja zhanret e mia të preferuara, populloren dhe klasiken, me koncerte solistike dhe orkestrale.
CMG: Çfarë të ka mbetur pa u realizuar në jetën tënde artistike, që pret ta realizosh në vazhdimësi?
Arben Asllanaj në programin Oxygen (Foto nga facebook)
Arben Asllanaj: Kam shumë kohë që kam menduar që të realizojmë unë dhe bashkëshortja ime, bashkë me dy djemtë një koncert familjar. Orfeu dhe Lisi tashmë janë të rritur dhe të formuar. Të gjithë kemi çfarë të realizojmë. Mund të bëjmë kombinime të bukura të instrumenteve, klarinetë, piano, djali i madh Orfeu me perkusionin, ndërsa Lisi është multi instrumentist dhe këndon shumë bukur. Mund të realizojmë valle e këngë të zhanreve të ndryshme si popullore, jazz, rrok, pop, të gjitha këto që na pëlqejnë individualisht dhe kjo gjë mendoj se do na mbetet një kujtim i bukur familjar.
Intervistoi Sava Lena