Të rinjtë të veshur me hanfu, veshje tradicionale të kombësisë hane të Kinës, u panë në shumë vende në mbarë botën gjatë Festës së Pranverës të këtij viti.
Një nismë e filluar në fund të janarit nëpërmjet "Xiaohongshu", një platformë e medias shoqërore kineze e përqendruar në stilin e jetesës, i ftoi përdoruesit të ngarkojnë foto ose video të tyre ose të miqve të vet, të veshur me hanfu në pikat simbol në mbarë botën nga 28 janari deri më 19 shkurt.
Në dy javët e para të nismës, rreth 10 000 përdorues të "Xiaohongshu"-së ndanë fotot e tyre të marra nga afro 30 vende e rajone në mbarë botën. Një përdorues madje postoi foto nga Antarktiku.
Shumë të rinj kinezë që punojnë ose studiojnë jashtë vendit, i ftuan gjithashtu miqtë e tyre të huaj të veshin kostume tradicionale kineze, për të kremtuar së bashku Festën e Pranverës.
Hanfu, ashtu si edhe format e tjera tradicionale të kostumeve kineze, kanë përjetuar një rritje të popullaritetit vitet e fundit. Veshjet me elemente tradicionale kineze të kombinuara me modele moderne, të quajtura si "stili i ri kinez", janë shndërruar në një prirje të modës te brezat e rinj jo vetëm në Kinë, por edhe në mbarë botën.
Analistët thonë se rritja e konceptit të "elegancës kineze" dëshmon besimin e të rinjve kinezë në kulturën e tyre. Veshja e kostumeve të stilit kinez jo vetëm që pasqyron temperamentin lindor të mbajtësve të tyre, por edhe ia paraqet estetikën kineze botës.(Xu Guang)