Guo Shifu: Një mjeshtër i vetëmësuar në pikturimin e luleve dhe zogjve me stil të lirë
2024-01-01 16:57:54

Në studion e Guo Shifu-së, ai shpalos ngadalë pikturat rrotulla, një formë unike e pikturës tradicionale kineze. Para syve të tij, imazhet e bozhureve të lulëzuara, një degë peme, një kërcell bambuje dhe një vile rrushi zbulojnë ngadalë bukurinë e pikturës kineze të stilit të ashtuquajtur "bojë dhe laj". "Bukuria e pikturës përcaktohet nga arritjet kulturore të krijuesit. Kultivimi kulturor i dikujt do të formojë stilin e tij krijues," thotë Guo, një piktor i nderuar kinez dhe anëtar i Shoqatës së Artistëve të Kinës.

CGTN

CGTN

Për mendimin e Guo-s, piktorët duhet të jenë të njohur me subjektet e tyre, po aq sa me bojën dhe furçën. "Duhet të shfaqet diku mes ngjashmërisë dhe mosngjashmërisë me subjektin. Kjo bazohet në kuptimin personal të piktorit." Me njohjen e thellë të trashëgimisë kulturore dhe zotërimin e një sërë disiplinash artistike, ai ka arritur të spikatë në fushën e pikturës së luleve dhe zogjve, ndërsa është i shkëlqyer edhe në kaligrafi, gdhendje vulash dhe poezi.

Guo tani është një figurë e rëndësishme në skenën e artit bashkëkohor kinez. Ajo që mund t'ju habisë është se eksperienca e tij në pikturë dhe kaligrafi është tërësisht autodidakte. Guo Shifu ka lindur më 1945 në një familje me rrënjë në traditat e Operës së Pekinit. Ai filloi të mësojë opera që në moshë të vogël. Një ditë, një mik i babait të tij solli disa shenjues të faqeve të librave me modele grimi të fytyrës të Operës së Pekinit, të cilat ndezën pasionin e Guos për pikturën. Guo mendoi se mund të pikturonte diçka të tillë, sepse ai e njihte shumë mirë Operën e Pekinit. Më pas ai pikturoi disa të tilla, të cilat u vlerësuan nga "Rongbaozhai", një dyqan i famshëm artistik me bazë në Pekin. Që atëherë e tutje, Guo filloi udhëtimin e tij të jetës të vetëmësimit.

CGTN

CGTN

"Ka shumë ngjashmëri mes Operës së Pekinit dhe pikturës tradicionale kineze. Piktura kineze thekson stilin e dorës së lirë dhe në fakt, Opera e Pekinit është forma e artit me lirshmërinë më të madhe të dorës," shprehet ai.

Në adoleshencën e tij, Guo kaloi shumë kohë në Muzeun e Pallatit në Pekin. Ai zhytej çdo ditë në galerinë e muzeut dhe i bënte përshtypje të thellë bukuria e kulturës kineze. Ai gjithashtu studioi veprat e mjeshtërve të pikturës, si Wu Changshuo, Pan Tianshou dhe Qi Baishi.

CGTN

CGTN

Në vitin 1985, Guo organizoi ekspozitën e tij të parë personale në sallën më të madhe të Muzeut Kombëtar të Artit të Kinës, një nder i madh për një artist kinez. Pikërisht po atë vit më në fund u realizua ambicia e gjatë e Guo-s. Në moshën 40-vjeçare, ai u pranua nga Akademia e Pikturës së Pekinit si një artist profesionist, i specializuar në pikturat me dorë të lirë me lule dhe zogj.

Guo Shifu është i mendimit se, që të bëhesh një piktor i arrirë, kërkohet më shumë se praktikë prej vitesh me përkushtim dhe një eksplorim i pafund i kulturës tradicionale. Kjo kërkon gjithashtu një aftësi të mprehtë për të zbuluar bukurinë dhe një ndjenjë të rritur të perceptimit. "Shihni gjëra të ndryshme në stinë të ndryshme. Dëgjimi i zogjve, nuhatja e luleve, vëzhgimi i erës, qiellit të pastër, shiut dhe vesës - të gjitha këto ju shkaktojnë frymëzime të ndryshme. Keni nevojë për aftësinë për ta zbuluar të bukurën, për ta gjetur atë kudo në jetë”, shpjegon Guo.

CGTN

CGTN

Për shekuj me radhë, pikturat tradicionale kineze me bojë kanë përfshirë jo vetëm poezinë, kaligrafinë dhe pikturën, por edhe një element tjetër thelbësor - vulat. Sot artistët që janë të shkëlqyer si në pikturë, ashtu edhe në gdhendje vulash, janë të rrallë dhe Guo Shifu është një prej tyre. Në studion e tij, në çdo cep gjenden vula të stileve të ndryshme, të gjitha të prodhuara nga ai vetë. "Gdhendja e vulave është një formë arti unike në kulturën kineze. E mësova me qëllimin për të përmirësuar pikturën time," rrëfen artisti.

Guo beson se një piktor kinez duhet të studiojë thellësisht poezinë, kaligrafinë, pikturën dhe gdhendjen e vulave, sepse ato janë të rrënjosura thellë në kulturën kineze. "Kjo kulturë është aq e thellë, sa kërkon një jetë të tërë të përkushtuar."

CGTN

CGTN

Guo e quan veten jashtëzakonisht me fat. Pasioni i tij rinor mbetet i pandryshuar gjatë dekadave. Ai është ende adhurues i madh i Operës së Pekinit dhe për mbi 60 vjet e ka ngulitur entuziazmin për pikturën kineze në thelbin e qenies së vet.(Xu Guang)