Xi kërkon ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam me rëndësi strategjike
2023-12-12 13:39:35

Në prag të vizitës së tij shtetërore në Vietnam nga 12 deri më 13 dhjetor, presidenti kinez Xi Jinping botoi të martën një artikull në gazetën vietnameze "Nhan Dan", ku bën thirrje për ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam me rëndësi strategjike dhe për çeljen e një faqeje të re të modernizimit të të dy vendeve.

Në artikull, kreu i shtetit i Kinës e vlerësoi udhëtimin e vet të tretë zyrtar në Vietnam si “një vizitë në shtëpinë e një të afërmi dhe fqinji”.

Artikulli i presidentit kinez Xi Jinping postohet në uebsitin e gazetës vietnameze "Nhan Dan"

Ai vuri në dukje se ky vit shënon 15-vjetorin e partneritetit të gjithanshëm strategjik  Kinë-Vietnam. "Pavarësisht se si ka ndryshuar mjedisi global, dy partitë dhe vendet tona kanë punuar së bashku për të ruajtur paqen dhe qetësinë, për të vijuar zhvillimin e bashkëpunimin dhe për të nxitur begatinë dhe përparimin, duke mbështetur njëri-tjetrin në çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore dhe shtetësimet e ndërsjella," shprehet Xi.

Sipas artikullit, vitet e fundit takimet e nivelit të lartë dhe bashkëpunimi dypalësh në ekonomi e tregti, në transport, turizëm, kulturë e fusha të tjera, janë shtuar në mënyrë të dukshme dhe kanë qenë frytdhënës.

Xi Jinping u shpreh se, para dhjetë vitesh, ai propozoi ndërtimin e “një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit”, nismën “Një brez, një rrugë” dhe parimet e “dashamirësisë, sinqeritetit, fitimeve të ndërsjella dhe përfshirjes” të politikës së jashtme të Kinës ndaj vendeve fqinje.

"Vendet fqinje nuk mund të largohen. Ndihma e fqinjit është ndihmë ndaj vetes dhe fqinjët e mirë i duan të mirën njëri-tjetrit. Kina është e gatshme ta ndërthurë më mirë zhvillimin e vet me zhvillimin e fqinjëve të saj dhe të punojë së bashku me ta për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët dhe për të krijuar një jetë më të mirë për të gjithë," vë në dukje Xi.

Lidhur me këtë, presidenti kinez paraqiti një propozim prej katër pikash, që janë përkatësisht:

Së pari, të dy palët duhet të ruajnë komunikimin strategjik dhe të forcojnë themelet politike për një komunitet me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam, të mbështesin fort njëra-tjetrën në ndjekjen e rrugës socialiste që u përshtatet realiteteve të veta kombëtare, të bashkërendojnë dy çështjet me përparësi, zhvillimin e sigurinë, të praktikojnë bashku Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, të thellojnë shkëmbimet mbi teorinë dhe praktikën e zhvillimit të socializmit, të shmangin së bashku rreziqet e sfidat e jashtme dhe të sigurojnë përparim të qëndrueshëm e të vazhdueshëm të kauzës socialiste.

Së dyti, të dy palët duhet të shfrytëzojnë si duhet epërsitë e veta për të çimentuar themelin e bashkëpunimit, duke përplotësuar kërkesat e ndërsjella, të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha si ndërlidhshmëria, reforma e ndërmarrjeve shtetërore, energjia e gjelbër dhe mineralet kyçe, në mënyrë që t’i shërbejnë më mirë zhvillimit të tyre kombëtar dhe mirëqenies së të dy popujve.

Së treti, të dy palët duhet të shtojnë shkëmbimet miqësore për të çimentuar mbështetjen popullore, të përdorin plotësisht mekanizmat e shkëmbimeve ndërmjet mediave qendrore, instituteve të studimit të politikave, departamenteve të kulturës dhe turizmit, shtëpive botuese, si edhe institucioneve të radios, filmit dhe televizionit, të thellojnë bashkëpunimin në mësimin e gjuhës kineze, arsimin profesional, sportin e shëndetësinë, për rritjen e mirëkuptimit dhe afërsisë së ndërsjellë midis popujve, veçanërisht brezit të ri. Të dy vendet duhet të shtojnë fluturimet e drejtpërdrejta dhe Kina do të inkurojë më shumë turistë kinezë të vizitojnë Vietnamin.

Foto:VCG

Foto:VCG

Së katërti, të dy palët duhet të menaxhojnë si duhet dallimet dhe të zgjerojnë konsensusin. Ato duhet të veprojnë në bazë të konsensuseve të arritura nga liderët e të dy partive dhe vendeve, të menaxhojnë si duhet dallimet për çështjet detare dhe të kërkojnë së bashku zgjidhje të pranueshme reciprokisht. Të dy palët duhet të kenë parasysh mirëqenien afatgjatë të popujve të tyre dhe të mbeten të përkushtuara në përpjekjet për bashkëpunim me përfitime të ndërsjella. Ato duhet të promovojnë fuqimisht bashkëpunimin dhe të bëjnë përpjekjet e duhura për të krijuar një mjedis të jashtëm të favorshëm për zhvillimin e njëra-tjetrës dhe për realizimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë afatgjatë në rajon.

Në artikull shkruhet se në botën e sotme, ndryshimet në një shkallë të paparë në një shekull po shpalosen me një ritëm të përshpejtuar. Hegjemonizmi, unilateralizmi dhe proteksionizmi janë në rritje. Paqja dhe zhvillimi në rajon po përballen me sfida të rënda, si pasiguria dhe paqëndrueshmëria.
Sipas presidentit kinez, e ardhmja e Azisë nuk është në duart e askujt tjetër përveçse të popujve aziatikë. “Ata mund të ndërtojnë një shtëpi paqësore, të qetë, të begatë, të bukur, miqësore dhe harmonike në Azi vetëm duke punuar së bashku për një komunitet me fate të përbashkëta dhe duke e bërë zhvillimin e vendit të vet pjesë të zhvillimit të përbashkët të të gjitha vendeve”, thuhet në artikull.
Kina do të ruajë vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e politikave të jashtme të saj me vendet fqinje, duke mbetur e përkushtuar ndaj zhvillimit të miqësisë dhe partneritetit me fqinjët dhe nxitjes së ndërtimit të një mjedisi fqinjësie harmonik, të sigurt e të begatë, duke synuar që modernizimi kinez të favorizojë më shumë vende të rajonit, duke çuar së bashku përpara procesin e modernizimit të gjithë Azisë dhe duke ofruar mundësi të reja zhvillimi për Vietnamin dhe vendet e tjera aziatike.
“Unë besoj se një komunitet me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam me rëndësi strategjike do të tërheqë më shumë vende të bëhen pjesë e kauzës së ndërtimit të një komuniteti aziatik me fate të përbashkëta, si edhe në ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit. Ai do t'u japë më shumë energji pozitive përpjekjeve për zhvillim afatgjatë dhe fqinjësi të mirë në Azi dhe do të japë një kontribut më të madh për paqen dhe zhvillimin e botës”, përfundon artikulli i presidentit kinez të botuar në gazetën vietnameze.(Zhang Yan/Artan)