Izraeli akuzon presidentin turk për mbështetje të terrorizmit
2023-11-17 17:35:38

CFP

CFP

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për mbështetje të terrorizmit pas kritikave të ashpra të tij ndaj Izraelit. 

Presidenti turk akuzoi Izraelin për një strategji shfarosjeje kundër popullit të Rripit të Gazës të rrethuar dhe e quajti atë një shtet terrorist, shkruan “ATSH”. 

“Ai e quan Izraelin një shtet terrorist, por në të vërtetë mbështet shtetin terrorist të Hamasit”,- deklaroi Netanyahu në një takim me Franklin Graham, president dhe drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ungjillore “Billy Graham” (BGEA) dhe i “Samaritan’s Purse”, një organizatë ndërkombëtare e krishterë e ndihmës. 

“Izraeli po zbaton një strategji të shkatërrimit total të një qyteti dhe popullit të tij duke shënjestruar qëllimisht shkollat, xhamitë, kishat, spitalet, tregjet, ndërtesat dhe rrugët”,- deklaroi presidenti turk. 

Izraeli, SHBA-ja dhe Bashkimi Europian e kanë shpallur Hamasin një organizatë terroriste. Por Erdogan e ka përshkruar grupin si “luftëtarë të lirisë”. (Elona)