Arrihet marrëveshja në Izrael për formimin e një kabineti emergjence
2023-10-13 15:16:26

CFP

CFP

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka arritur një marrëveshje me politikanin kryesor të opozitës Benny Gantz, për të formuar një qeveri emergjente, thanë ministrat e partisë në pushtet Likud.

Izraeli ka nisur sulme masive ajrore në Rripin e Gazës palestineze në reagim ndaj militantëve të Hamasit që sulmuan shtetin hebre të shtunën. Mbi 1000 persona kanë vdekur nga secila anë, shkruan “ATSH”.

Sipas marrëveshjes, kryeministri Netanyahu, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz, i koalicionit të Unitetit Kombëtar, do të formojnë një kabinet lufte.

“Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gadi Eizenkot, dhe zyrtari i lartë i Likud, Ron Dermer, do të shërbejnë si vëzhgues”, thanë ministrat.

Sipas medieve lokale, Gantz pritet gjithashtu të sigurojë pesë ministra për një kabinet sigurie.

Netanyahu u ofroi të shtunën liderëve të opozitës Yair Lapid dhe Gantz role në një qeveri emergjence.

Ekspertët besojnë se do të nevojitet një koalicion i gjerë për të nxitur vendime të gjera ushtarake dhe politike në ditët në vijim. (Irma)