Xi: Ecuria e marrëdhënieve Kinë-ShBA përcakton të ardhmen e njerëzimit
2023-10-10 16:15:36

Në këtë botë në ndryshim dhe luhatje, ecuria e marrëdhënieve Kinë-ShBA do të përcaktojë të ardhmen e njerëzimit, i tha presidenti kinez Xi Jinping të hënën në Pekin një delegacioni të Kongresit të ShBA-së të kryesuar nga udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

Foto:CMG

Foto:CMG

Marrëdhëniet kino-amerikane janë marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme në botë, tha kreu i shtetit i Kinës, duke theksuar se konkurrenca e kundërvënia nuk janë në përputhje me prirjen e kohës dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve vetjake dhe në përballimin e sfidave që ndodhen para botës.

Kina është e mendimit se interesat e përbashkët të të dy vendeve i tejkalojnë dallimet mes tyre dhe suksesi i secilit vend është një mundësi e jo sfidë për vendin tjetër, vuri në dukje presidenti kinez.

Duke pasur parasysh shkallën e lartë të integrimit të ekonomisë kineze e ekonomisë amerikane dhe interesat e ndërthurura ngushtë të tyre, të dyja vendet mund të përfitojnë nga zhvillimi i ndërsjellë. Rimëkëmbja e ekonomisë globale pas pandemisë, përballja e sfidave të ndryshimeve klimatike dhe zgjidhja e çështjeve të nxehta ndërkombëtare e rajonale, të gjitha këto kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim midis Kinës  e ShBA-së.

 "Unë them shpesh se ne kemi një mijë arsye për t’i zhvilluar marrëdhëniet kino-amerikane dhe asnjë arsye për t'i shkatërruar,"  i tha presidenti kinez delegacionit të Kongresit amerikan.

Si dy vende të mëdha në botë, Kina dhe ShBA-ja duhet të tregojnë mendjegjerësinë, vizionin dhe gatishmërinë e pritur nga bashkësia ndërkombëtare për të përmirësuar mirëqenien e dy popujve dhe për të nxitur përparimin e njerëzimit, tha Xi. Ai u bëri thirrje të dy palëve të trajtojnë siç duhet marrëdhëniet e tyre, ta respektojnë njëra-tjetrën, të bashkëjetojnë në paqe dhe të ndjekin bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë.

Foto:CMG

“Pala kineze mirëpret vizitat e më shumë anëtarëve të Kongresit të ShBA-së për ta kuptuar më mirë Kinën dhe shpreson se të dy organet ligjvënëse do të kenë më shumë kontakte, dialog e shkëmbime për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të dhënë një kontribut pozitiv në stabilizimin dhe përmirësimin e lidhjeve dypalëshe”, shtoi presidenti kinez Xi Jinping.

Vizita e këtij delegacioni, me Shangain si ndalesa e parë, është e para në katër vitet e fundit e ligjvënësve amerikanë në Kinë.

Senatori Schumer dhe anëtarët e tjerë të delegacionit ndanë pikëpamjet dhe sugjerimet e tyre për marrëdhëniet Kinë-ShBA, duke vënë në dukje se qëndrueshmëria e këtyre marrëdhënieve është me rëndësi jetike jo vetëm për të dy vendet, por edhe për paqen dhe zhvillimin botëror.

Zhvillimi dhe lulëzimi i Kinës janë në të mirë të popullit amerikan dhe ShBA-ja nuk kërkon një konflikt me Kinën, dhe as të shkëputet prej saj, thanë ata.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përmirësojnë dialogun e komunikimin me Kinën në mënyrë të hapur e të sinqertë, duke u bazuar mbi respektin reciprok, t'i menaxhojnë në mënyrë të përgjegjshme marrëdhëniet dypalëshe, duke i stabilizuar e duke i forcuar këto marrëdhënie, u shprehën kongresmenët amerikanë. Ata shtuan se pala amerikane gjithashtu mirëpret forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e tregtisë dhe të investimeve, duke shtuar komunikimin e bashkëpunimin në çështje të tilla si ndryshimi klimatik, trafiku i drogës dhe konfliktet rajonale.