Në orën 06:50 të mëngjesit, 72-vjeçarja Ding Ying, pediatrja kryesore e mjekësisë tradicionale kineze, është gati të marrë autobusin për të shkuar në punë. Rreth 30 minuta më vonë, ajo mbërrin në zyrën e saj në Spitalin e Parë të Ndërlidhur të Universitetit të Mjekësisë Kineze, në provincën Henan të Kinës qendrore.
foto: ChinaDaily
Pasi vesh përparësen e bardhë të mjekut dhe vë syzet, ajo nis menjëherë konsultimet e përditshme me pacientët.
Si mjeshtre e mjekësisë tradicionale kineze, Ding u nderua në vitin 2023 me çmimin Mjeku më i Mirë, në një konferencë të organizuar nga Zyra e Informacionit të Këshillit të Shtetit, më 18 gusht.
Falë përvojës së saj me teknologjinë e diagnostikimit dhe trajtimit duke përdorur mjekësinë kineze, prindërit i sjellin fëmijët e tyre nga vende të ndryshme anembanë vendit, si provinca Anhui dhe rajoni autonom i Ningxia Hui, që shpesh mbërrijnë herët për të mbajtur radhë në klinikën e saj.
Fëmijët i besojnë asaj dhe e quajnë me dashuri “Gjyshe Ding”.
Jiang Mengmeng, 36 vjeçe, është nëna e një djali 8-vjeçar që vuante prej tre vjetësh nga sindroma nefrotike, një çrregullim i veshkave që çon në nivele të ulëta të proteinave në gjak.
“Ne ishim me fat që takuam doktoreshë Ding, pasi simptomat e djalit tim vazhduan të ishin prezente edhe pas dy vitesh trajtimi me mjekësinë perëndimore, duke përfshirë marrjen e barnave hormonale”,- tha ajo.
Duke kujtuar udhëtimet e shumta për të parë mjekët në qytetet e mëdha si Pekini, nëna e re e cilëson doktoreshën Ding si një dritë të shndritshme që ngrohu familjen e saj.
Mjekësia tradicionale kineze mund të ulë shkallën e përsëritjes së sëmundjeve kronike. Duke qenë se sëmundjet kronike kanë nevojë për përkujdesje afatgjatë, spitali siguroi gjithashtu një klinikë “cloud”, për shërbimet e këshillimit në internet për të shkurtuar distancën për pacientët.
“Kjo metodë novatore ka mbushur hendekun mes mjekëve dhe pacientëve në distancë, duke na ndihmuar të ndjekim në kohën e duhur dhe të reduktojmë kostot e udhëtimit të pacientëve tanë”,- tha Ding.
Me një karrierë prej 55 vitesh në fushën e mjekësisë, Ding është një profesioniste me përvojë. Ajo studioi mjekësinë perëndimore dhe u diplomua në një shkollë mjekësore në vitin 1968.
“Në fillim, mësova disa baza të mjekësisë kineze nga praktikuesit e moshuar si mjeke në zonat rurale”,- tha ajo, duke shprehur mirënjohje për vështirësitë, presionin dhe konkurrentët, pasi e kanë ndihmuar të rritet dhe të mësojë t'i zgjidhë problemet pozitivisht dhe të mendojë në mënyrë të pavarur.
Ding pa se sa shumë shpresë u sjell një mjek i mirë pacientëve të tyre dhe kjo e frymëzoi atë që të ishte një studente e mirë në arsimin e saj në Universitetin e Mjekësisë Kineze në Henan.
“Kur isha në universitet, ngulita në tru teoritë e mjekësisë kineze. Ato janë të rrënjosura thellë në kulturën kineze. Sa më shumë të mësoni, aq më shumë merrni. Por, shkëlqimi i vërtetë për mua ishte pas moshës 50-vjeçare”,- tha mjeshtrja e mjekësisë tradicionale kineze.
Ajo ka disa sugjerime për mjekët e rinj: “Fillimisht zotëroni njohuritë bazë të mjekësisë perëndimore, bëni një studim të thelluar të teorisë së mjekësisë kineze dhe më pas fitoni përvojë klinike. Pediatria është një punë me përgjegjësi, si dhe një profesion kërkues që kërkon qëndrueshmëri”.
Qëllimi i saj kryesor gjatë gjithë viteve ishte të zhvillonte avantazhet e diagnozës dhe trajtimeve të mjekësisë tradicionale kineze për ekipet pediatrike në spital, duke iu përmbajtur kërkimit shkencor dhe inovacionit. Ajo filloi t'i kushtojë vëmendje shtesë mjekësisë kineze “tripterygium wilfordii”, e cila është e njohur për vetitë e saj antiinflamatore dhe imuno-supresore.
“Vitaliteti i mjekësisë tradicionale kineze varet nga zhvillimi i saj me teknologji moderne shkencore. Mjekësia tradicionale kineze dhe mjekësia perëndimore duhet të zhvillohen së bashku dhe të plotësojnë njëra-tjetrën për t'i shërbyer më mirë shëndetit të njerëzve”,- tha Ding. Ren Xianqing, studentja e parë e diplomuar dhe studentja e parë e doktoraturës së Ding, e kujton atë me dashuri.
“Profesoresha Ding Ying ishte e rreptë, e përkushtuar dhe e respektueshme. Sjelljet e saj ndikuan te studentët dhe kolegët e saj. Dukej sikur stili i saj i “traditës familjare” na udhëhoqi për të qenë më të mirë”,- tha ajo.
Pas dekadash pune të palodhur, Ding e udhëhoqi spitalin e saj për të qenë spitali i mjekësisë pediatrike kineze i rangut më të lartë në vend në vitin 2022, tha Ren. Në vitin 2018, Ding dhuroi 600.000 juanë (82.215 dollarë) për Universitetin e Mjekësisë Kineze në Henan. Donacioni i saj krijoi Bursën Ding Ying, e cila përdoret për të subvencionuar studentët e shquar të pediatrisë në nevojë, duke kontribuar kështu në zhvillimin e talenteve të mjekësisë tradicionale kineze.
Shpresa e saj është se brezi i ardhshëm do të vazhdojë të përmirësojë kërkimin dhe praktikat e mjekësisë tradicionale kineze, duke siguruar përsosmërinë e vazhdueshme të saj.
“Unë e dua punën time dhe studentët e mi. Do të doja të isha pediatre për aq kohë sa të mundesha”,- tha Ding.
Pas punës, ajo preferon të bëjë një shëtitje me bashkëshortin e saj, Lyu Haijiang, i cili është gjithashtu një ekspert i respektuar i mjekësisë tradicionale kineze në Henan. Po ashtu, ajo i telefonon shpesh të birit, i cili ndodhet në Pekin.
“Familja ime gjithmonë më ka mbështetur”, tha doktoresha Ding.