Samiti i G20-ës në Indi / foto nga Xinhua
Grupi i 20 vendeve (G20-ta) u zgjerua për herë të parë të shtunën pasi blloku i dha anëtarësim të përhershëm Bashkimit Afrikan (BA). Kryeministri indian Narendra Modi njoftoi vendimin në takimin e nivelit të lartë të grupit që u mbajt nga 9 dhe 10 shtatori në Delhi të Indisë.
Modi tha më vonë se G20-ta kishte arritur një konsensus mbi një deklaratë të liderëve. Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë Subrahmanyam Jaishankar tha se Kina ka shprehur mbështetje të madhe për çështje të ndryshme.
G20-ta ka nevojë për unitet në vend të ndarjes, bashkëpunimin në vend të kundërvënies dhe përfshirje në vend të përjashtimit, tha të shtunën kryeministri kinez Li Qiang, teksa iu drejtua sesionit të parë të samitit.
Kryeministri i Kinës Li Qiang në Samitin e G20-ës në Indi/ foto nga Xinhua
Nxitja e zhvillimit të përbashkët
Kryeministri kinez u kërkoi anëtarëve të G20-ës që t’i përmbahen aspiratës origjinale për bashkimin dhe bashkëpunimin dhe të marrin përgjegjësinë e kohës për paqe dhe zhvillim. Anëtarët e G20-ës duhet të jenë partnerë në nxitjen e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, bashkëpunimin e hapur global dhe zhvillimin e qëndrueshëm të botës, tha ai.
Duke synuar kultivimin e shtytësve të rinj për zhvillimin botëror dhe nxitjen e zhvillimit e përparimit të përbashkët të të gjitha vendeve, Kina ka propozuar Iniciativën e Zhvillimit Global (GDI), e cila ofron një rrugëzgjidhje kineze për nxitjen e zhvillimit botëror.
Më shumë se 100 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë shprehur mbështetjen e tyre për GDI-në, sipas Raportit të Progresit mbi Iniciativën e Zhvillimit Global, të publikuar në qershor nga Qendra për Njohuri Ndërkombëtare mbi Zhvillimin e Kinës. Afro 70 vende i janë bashkuar Grupit të Miqve, një platformë të rëndësishme për këshillim të gjerë, kontribut dhe përfitime të përbashkëta, e cila shërben gjithashtu si një hap i rëndësishëm për zhvillimin institucional të bashkëpunimit të GDI-së, vihet në dukje në raport.
Duke iu drejtuar ceremonisë, zv.ministri i Jashtëm kinez Ma Zhaoxu bëri thirrje për përmirësimin e shpërndarjes globale të burimeve të zhvillimit. "Ne duhet të mobilizojmë më tej burimet e zhvillimit të qeverive, komuniteteve të biznesit, akademive dhe shoqërive civile dhe të mbështetemi në forcat e tyre
krahasuese për të përmirësuar ndarjen e burimeve dhe nivelin e përgjithshëm të zhvillimit të vendeve në zhvillim." - tha ai.
Vendet e zhvilluara duhet t’i marrin me seriozitet përgjegjësitë, duke zbatuar angazhimet e tyre ndaj ndihmës zyrtare të zhvillimit, financimit të zhvillimit e financimit të klimës dhe duke marrë pjesë më shumë në bashkëpunimin e GDI-së në fusha të ndryshme, me qëllim që shpërndarja globale e burimeve të zhvillimit të bëhet më e balancuar, tha ai.
Për të vënë në radhë të parë zhvillimin, Kina ka krijuar një Fond për Zhvillimin Global dhe Bashkëpunimin Jug-Jug me një financim total prej 4 miliardë dollarësh dhe së shpejti do të krijojë një fond special prej 10 miliardë dollarësh dedikuar zbatimit të GDI-së. Për sa i përket bashkëpunimit praktik, mbi 200 projekte bashkëpunimi janë realizuar, me mekanizma bashkëpunimi që zgjerohen në fusha të tilla si ulja e varfërisë, arsimi dhe shëndetësia në Azi, Afrikë, vendet ishullore të Paqësorit dhe Karaibe.
Kryetari i Komisionit të BA-së Moussa Faki Mahamat/ foto nga CFP
Zëri i zgjeruar i Jugut të botës
Pas përpjekjeve shumëvjeçare, Bashkimi Afrikan iu bashkua G20-ës të shtunën, duke zgjeruar zërin e Afrikës në nivel botëror.
Kina ishte vendi i parë që shprehu qartazi mbështetjen e saj për anëtarësimin e BA-së në këtë organizatë. Muajin e kaluar, Kina theksoi përsëri mbështetjen e saj të fortë për BA-në për t’u bërë një anëtar i plotë i G20-ës, sipas një deklarate të përbashkët lëshuar pas Dialogut të Liderëve Kinë-Afrikë. Anëtarësimi pranë G20-ës do të ofrojë një kornizë të përshtatshme për BA-në për promovimin e Afrikës dhe kontributin e saj efektiv në përmbushjen e sfidave globale, tha të shtunën kryetari i Komisionit të BA-së Moussa Faki Mahamat. (Wang Lei/Laçi)