Foto nga VCG
Në atë që u përshkrua asokohe si një "shpërthim bërthamor diplomatik", Franca u bë vendi i parë i madh perëndimor që vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën 60 vjet më parë, kur bota ishte ende e ngërthyer nga Lufta e Ftohtë.
"Qeveria e Republikës Popullore të Kinës dhe Qeveria e Republikës së Francës kanë vendosur njëzëri për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike," u tha në një komunikatë të përbashkët të të dy vendeve të publikuar më 27 janar 1964. "Ato kanë rënë dakord të shkëmbejnë ambasadorët brenda tre muajsh."
Kjo komunikatë për vendosjen e marrëdhënieve zyrtare, që përfshinte pak më shumë se 40 hieroglife kineze në dy fjali, ishte më e shkurtra dhe me formulimin më të veçantë në historinë e diplomacisë kineze.
Në një videofjalim për një pritje me rastin e 60-vjetorit të marrëdhënieve dypalëshe në janar, presidenti kinez Xi Jinping vlerësoi lart rëndësinë e vendosjes së këtyre lidhjeve, duke e quajtur atë si një ngjarje të madhe në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
"Me një mençuri dhe guxim të jashtëzakonshëm, kryetari Mao Ce Dun dhe gjenerali Sharl de Gol hapën dyert për shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kinës e Perëndimit, duke i sjellë botës shpresë gjatë Luftës së Ftohtë," vuri në dukje Xi.
Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Francës janë forcuar vazhdimisht që nga viti 1964.
Më 1997, Franca ishte në krye të vendeve perëndimore në krijimin e një partneriteti të gjithanshëm me Kinën, i cili u ngrit në nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik më 2004. Më pas, në vitin 2014, Xi Jinping-u bëri vizitën e tij të parë shtetërore në Francë, për kremtimin e 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike. Ai dhe François Hollande, atëherë president i Francës, pranuan hapjen e një epokë të re të një partneriteti të gjithanshëm strategjik kino-francez të ngushtë dhe të qëndrueshëm.
Lidhjet kino-franceze janë bërë të veçanta dhe kanë qenë gjithmonë në krye të marrëdhënieve të Kinës me vendet e mëdha të zhvilluara të Perëndimit, theksoi Xi gjatë vizitës së tij. Ai i quajti gjithashtu Kinën dhe Francën si "vende mike të veçanta dhe partnere të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta" në një artikull për një gazetë franceze përpara vizitës së tij në mars të vitit 2014, një mesazh që presidenti kinez e përsëriti edhe përpara vizitës së tij të dytë shtetërore në Francë në mars 2019.
Të dy vendet kanë kryer bashkëpunim pararojë nëpërmjet një game të gjerë nismash, nga përurimi i linjës ajrore civile midis Kinës e Perëndimit deri në fillimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë bërthamore për qëllime civile.
Franca ishte vendi i parë perëndimor që nënshkroi një marrëveshje të bashkëpunimit ndërqeveritar në shkencë e teknologji me Kinën dhe që krijoi një mekanizëm të bashkëpunimit ndërqeveritar në tregjet e palëve të treta me Kinën.
Franca ishte gjithashtu vendi i parë që zhvilloi shkëmbime me Kinën për organizimin e një viti kulturor e ngritjen e qendrave kulturore dhe ishte vendi i parë i madh perëndimor që kreu shkëmbime rinore me Kinën.
Në nëntor, Pekini njoftoi një politikë të heqjes 15-ditore të vizave për qëndrimin afatshkurtër të shtetasve francezë në Kinë dhe Parisi njoftoi se shtetasve kinezë që kanë gradë "master" të marrë në Francë do t'u jepen viza pesëvjeçare.
"Kur shikojmë botën sot, lidhjet Kinë-Francë mund të thuhet se janë më të qëndrueshmet dhe pozitivet ndërmjet marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit," tha në mars ambasadori kinez në Francë Lu Shaye.