Filipinet, që mohojnë "marrëveshjen e xhentëlmenëve", nuk kanë asnjë besueshmëri
2024-04-29 14:30:00

Sekretari i Mbrojtjes i Filipineve Gilberto Teodoro deklaroi të shtunën se, qysh nga viti 2022 kur qeveria e tanishme e Filipineve erdhi në pushtet, Departamenti i Mbrojtjes i Filipineve as nuk është në dijeni dhe as nuk ka arritur ndonjë marrëveshje të brendshme me Kinën për mosmarrëveshjet mbi Detin e Kinës Jugore. Kjo është hera tjetër që Manila mohon publikisht "marrëveshjen e xhentëlmenëve" të arritur midis Kinës  e Filipineve për çështjen e gumës Ren'ai, duke pasuar presidentin e Filipineve Ferdinand Marcos Jr. dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Eduardo Año.

Përballë moralit dhe fakteve, Filipinet nuk mund të gënjejnë. Si u arrit kjo “marrëveshje xhentëlmenësh”? Për çfarë u ra dakord? Çfarë roli ka luajtur ajo? Një rishikim i thjeshtë i historisë do ta bëjë të qartë.

Renai është një gumë e pabanuar në ishujt Nansha të Kinës. Neni 5 i Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore të nënshkruar nga Kina dhe vendet e ASEAN-it, përfshirë Filipinet, përcakton qartë se ishujt dhe shkëmbinjtë e pabanuar në Detin e Kinës Jugore duhet të mbahen "të pabanuar dhe pa objekte". Më 9 maj 1999, anija luftarake filipinase "Sierra Madre" "ngeci" në gumën Renai. Pasi Kina bëri demarshe solemne, Filipinet premtuan në shumë raste që do ta tërhiqnin anijen luftarake "të ngecur" dhe thanë se nuk do të ishin vendi i parë që do të shkelte Deklaratën për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore. Por 25 vjet më vonë, Filipinet ende nuk e kanë tërhequr anijen.

Gjatë administratës së presidentit Duterte në Filipine, për të stabilizuar dhe kontrolluar situatën në Detin e Kinës Jugore, Kina dhe Filipinet arritën një "marrëveshje xhentëlmenësh” për çështjen e gumës Renai. Filipinet premtuan se nuk do të transportonin materiale ndërtimi në anijen luftarake "të ngecur", dhe në bazë të humanizmit, Kina bëri një marrëveshje të përkohshme të posaçme me Filipinet për të transportuar furnizimet e nevojshme të jetesës në atë anije luftarake. “Marrëveshja e xhentelmenëve” nuk është një marrëveshje sekrete dhe nuk ka të bëjë fare me qëndrimet sovrane të të dy palëve. Pikërisht për shkak të saj Kina dhe Filipinet zgjodhën të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre, të eliminojnë ndërhyrjen e jashtme dhe të promovojnë transformimin e marrëdhënieve dypalëshe. Filipinet gjithashtu kanë qenë në gjendje t'ua kushtojnë energjitë e tyre të kufizuara zhvillimit ekonomik, siç është fillimi i planit infrastrukturor "Ndërto, Ndërto, Ndërto".

Pasi qeveria aktuale e Filipineve erdhi në pushtet në qershor 2022 dhe deri në fillim të shkurtit 2023, departamentet dhe institucionet përkatëse kineze e filipinase i janë përmbajtur kësaj marrëveshjeje. Për më tepër, Kina ka informuar dhe negociuar vazhdimisht me zyrtarë të nivelit të lartë të qeverisë filipinase për çështje që lidhen me "marrëveshjen e xhentëlmenëve". Në vitin 2023, Pekini ftoi të dërguarin e posaçëm të presidentit të Filipineve që të vinte në Kinë për të negociuar mbi menaxhimin dhe kontrollin e situatës në gumën Renai dhe arriti një mirëkuptim të brendshëm. Në fillim të këtij viti, Kina zhvilloi diskutime të përsëritura me Filipinet përmes kanaleve diplomatike dhe arriti një "model të ri" për transportin dhe rifurnizimin në gumën Renai. Megjithatë, mirëkuptimi dhe marrëveshjet përkatëse u braktisën në mënyrë të njëanshme nga Filipinet pa asnjë arsye, pasi u zbatuan një herë.

Shihet se zyrtarët e lartë filipinas pretendojnë që nuk janë në dijeni të "marrëveshjes së xhentëlmenëve" të arritur midis qeverisë së mëparshme e Kinës dhe po shtiren plotësisht si të hutuar. Një mohim i tillë i hapur i ka lejuar botës të shohë qartë dy fakte: së pari, qeveria e Filipineve është e pandershme e kapriçioze dhe, së dyti, kaosi i Filipineve në fushën e vendimmarrjes politike dhe diplomatike është bërë një situatë normale. Kështu Filipinet, që mohojnë "marrëveshjen e xhentëlmenëve", nuk kanë asnjë besueshmëri. (Xu Guang)