Ekuipazhi i "Shenzhou-17" përfundon dorëzimin, kthimi është caktuar për më 30 prill
2024-04-29 11:40:53

Foto nga VCG

Ekuipazhi i anijes kozmike kineze "Shenzhou-17" ia kaloi çelësat e Stacionit Hapësinor të Kinës ekuipazhit të "Shenzhou-18" në një ceremoni dorëzimi të dielën. Astronautët e "Shenzhou-17" kanë kryer të gjitha detyrat e planifikuara dhe do të kthehen në Tokë më 30 prill, sipas Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës. 

Aktualisht, vendi i zbritjes në Dongfeng në Rajonin e Mongolisë së Brendshme të Kinës Veriore dhe të gjitha sistemet pjesëmarrëse po bëjnë përgatitjet përfundimtare për të mirëpritur kthimin e astronautëve, ndërsa ekipet e kërkimit dhe shpëtimit kryen të premten provën përfundimtare për kthimin e anijes kozmike. 

Anëtarët e ekuipazhit të "Shenzhou-17", Tang Hongbo, Tang Shengji dhe Jiang Xinlin, u nisën për në Stacionin Hapësinor të Kinës tetorin e kaluar dhe kanë qëndruar në orbitë për rreth gjysmë viti. Të enjten, Kina nisi anijen hapësinore me astronautë "Shenzhou-18", duke dërguar tre astronautë të tjerë, Ye Guangfu, Li Cong dhe Li Guangsu, në stacionin e saj hapësinor për një mision tjetër gjashtëmujor. Ata hynë në stacionin hapësinor dhe u takuan me astronautët e "Shenzhou-17" të premten për ndërrimin e ekuipazheve në orbitë. 

Ekuipazhi i "Shenzhou-17" ka kryer 84 eksperimente e prova në orbitë për aplikimin hapësinor, duke prodhuar më shumë se 200 mostra në fusha të shumta, si shkenca e jetës e bioteknologjia hapësinore, mjekësia hapësinore dhe shkenca e materialeve hapësinore. Ekipi do t'i dorëzojë mostrat për studim shkencor, gjë që mund të çojë në përparime shkencore të rëndësishme. 

Më parë, kablli i paneleve diellore të modulit themelor "Tianhe" u godit nga mbetjet hapësinore, duke shkaktuar një ndërprerje të pjesshme të furnizimit me energji. Në përgjigje, ekuipazhi i "Shenzhou-17" kreu dy veprimtari jashtë stacionit hapësinor, duke kryer misionin e parë të riparimit jashtë mjeteve hapësinore të Kinës.