Zakonisht, pas një libri të bukur, lind një film i bukur. Rrallë ndodh e kundërta, që pas një filmi të bukur të lindë një libër i bukur. Kështu në fakt ka ndodhur në rastin e filmit “Beni ecën vetë”, me skenar të Kiço Blushit dhe regji të Xhanfize Kekos, që është ndër filmat më të bukur të kinemasë shqiptare.
“Beni ecën vetë” është historia e djalit të vogël, që nga Korça, shkon te xhaxhai i tij në fshat dhe aty mëson të bëhet një fëmijë i pavarur.
Beni është një djalë tetëvjeçar që jeton në Korçë me prindërit e tij. Beni bënte një jetë të mbyllur. Nëna e tij duke qenë shumë e kujdesshme ndaj tij, i privon atij disa kënaqësi të moshës dhe nuk e lë të luajë jashtë, nga meraku se mos sëmuret, vritet...!
Kur Beni është në gjendje të dalë jashtë, fëmijët e lagjes e vënë në lojë atë, duke e quajtur shpesh "një mace të frikësuar" dhe "një djalë mamaje", ose "qullac".
Një ditë kur xhaxhai i tij, Thomai, erdhi nga fshati për vizitë, ai e sheh Benin duke qarë pasi fëmijët e tjerë i morën kalin e tij.
Thomai vendos ta marrë Beni me kalë në një fshat të largët, ku e mëson atë për jetën dhe si të jetë "burrë" më i zoti. Në fshat, Beni për herë të parë mëson të rrijë pa prindërit. Për ta ndihmuar të kalojë frikën dhe të ambientohet e ftojnë të marrë pjesë së bashku me fëmijët e tjerë në një piknik. Një natë Beni mbetet i vetëm në mes të pyllit por tashmë ai fillon të zbulojë një jetë shumë pranë natyrës, duke larguar frikën dhe mendimet negative të fëmijërisë. Me kalimin e ditëve, nga eksperienca në fshat Beni mësohet dhe kthehet në një djalë të pjekur,që nuk bëhet më qaraman për gjëra të vogla...
Në rrugën e kthimit për në qytetin Beni nuk ka nevojë të hipë mbi kalë, ai është në gjendje të ecë vetë gjatë gjithë rrugës për në shtëpi. Ky është me pak fjalë subjekti i filmit, i cili më pas u shkrua edhe si libër.
Thuajse të gjithë të vegjlit shqiptarë, kudo që janë, kanë lexuar librin “Beni ecën vetë”. E shumëkush edhe e ka parë filmin, për të cilin u shkrua libri. Ndonëse filmi dhe libri janë shumë mbresëlënëse, jo të gjithë e dinë se shkrimtari Kiço Blushi ka përshkruar si personazh kryesor djalin e tij, që sot të gjithë e njohin dhe e vlerësojnë si gazetar dhe shkrimtar, Ben Blushi. Madje edhe emrin e djalit, ia ka vënë personazhit, Beni.
Beni i vërtetë, mund të ketë qenë 6 apo 7 vjeç atëherë kur është bërë ky film. Ai e mban mend babanë kur e shkruante skenarin, madje kujton edhe ankimet e tij prej fëmije: pse nuk mund ta luante ai veten e tij në film, meqë libri ishte frymëzuar prej tij, por një tjetër fëmijë, që ishte i përzgjedhuri i Xhanfize Kekos, aktori i vogël Herion Mustafaraj. Filmi u realizua në vitin 1975 nga regjisorja e shquar e filmit shqiptar për fëmijë, Xhanfize Keko, si një produksion i Kinostudios Shqipëria e Re.
Në film luajnë një kast fëmijësh të mrekullueshëm, si: Herion Mustafaraj në rolin e Benit, Gjergj Sollaku në rolin e kushëririt dhe Selma Sotirllari në rolin e Tullumbaces, por spikasin edhe aktorë si Pandi Raidhi, Dhorkë Orgocka, Yllka Mujo, Zhani Petro, etj. Filmi shquhet për dialogun e natyrshëm, interpretimin mjaft origjinal, freskinë e kamerës dhe kolonën zanore të mrekullueshme nga Limoz Dizdari.
Ky film mbetet një nga më të bukurit e kinematografisë shqiptare për fëmijë, i dashur nga të mëdhenj e të vegjël. Në Festivalin e Parë të Filmit Shqiptar të mbajtur në Tiranë në vitin 1976 filmi “Beni ecën vetë” u vlerësua me Kupën e Festivalit dhe në të njëjtin vit u paraqit dhe mori medalje në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni Film Festival”. Po në vitin 1976 mori pjesë dhe një çmim në Beograd si dhe Kupën e Festivalit në Festivalin e Parë të Filmit Shqiptar të mbajtur në Tiranë.
Duke parë suksesin e madh të filmit, i cili u xhirua në Korçë dhe fshatrat e saj, skenaristi Kiço Blushi, vendosi që historinë e Benit ta trajtonte edhe në libër. Në vitin 1976, “Beni ecën vetë” doli si libër me një tirazh prej 10.000 kopjesh, nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë. “Beni ecën vetë” u bë shumë shpejt një nga romanet për fëmijë nga më të vlerësuarit në letërsinë shqiptare në vitet ‘70-’80, i njohur për trajtimin e dashurisë ndaj natyrës fshatit e njerëzve të tij.
Shumë shpejt libri u bë pjesë e programeve jashtëshkollorë, prandaj u bë i domosdoshëm ribotimi sa më parë i romanit, që u realizua në vitin 2008.
E pikërisht romani “Beni ecën vetë” është një vepër, e cila do të vlerësohet në të gjitha kohët, sepse kjo vepër nuk është skematike, por një vepër e vërtetë letrare, ku tema e dashurisë për natyrën, fshatin, njeriun, shokun apo shoqen, kafshët, punën është e natyrshme dhe njerëzore. Ky roman ka hyrë në fondin e artë të letërsisë kombëtare jo vetëm nga shtjellimi i temës së dashurisë për natyrën dhe atdheun, por edhe për gjuhën e thjeshtë e figuracionin e pasur.
Përgatiti: Neritana Kraja