Antigoni Bullari: Autizmi po përhapet me shpejtësi
2023-06-16 11:09:20

Sot të paktën 1 në 88 vetë diagnostikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku. Autizmi është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me Koeficientë Inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor. Antigoni Bullari ka disa vite që është specializuar në logopedi dhe tashmë ka edhe qendrën e saj ku trajton fëmijet me autizëm. Në intervistë për Radio Ejani ajo shpjegon se si terapia e logopedisë i përkrah fëmijët dhe të rinjtë me vështirësi në të folur, në zhvillimin e tyre gojor dhe në shkrim, si i mbështet aftësitë komunikuese dhe se si ajo e forcon vetëbesimin dhe zhvillim e tyre personal.

Antigoni Bullari ( foto personale)2

Antigoni Bullari ( foto personale)2

Antigoni Bullari: Autizmi po përhapet me shpejtësi

Autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut, pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik. Sot të paktën 1 në 88 vetë diagnostikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku. Autizmi është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me Koeficientë Inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor. Individët me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodikë ose të çorganizuar.

Antigoni Bullari ka disa vite që është specializuar në logopedi dhe tashmë ka edhe qendrën e saj ku trajton fëmijet me autizëm.Seancat terapeutike, duhet të ndiqen me rigorozitet këshillat dhe programet e logopedistit, me qëllim arritjen e rezultateve optimale. Ndryshimi i shpeshtë i terapistëve të të folurit, apo programeve terapeutike, si dhe lënia përgjysmë e terapisë pengojnë në ecuri dhe si rrjedhojë kemi mungesë të rezultateve.

Logopediste Antigoni Bullari  shpjegon se si terapia e logopedisë i përkrah fëmijët dhe të rinjtë me vështirësi në të folur, në zhvillimin e tyre gojor dhe në shkrim, si i mbështet aftësitë komunikuese dhe se si ajo e forcon vetëbesimin dhe zhvillim e tyre personal. Po kështu logopedja Bullari sqaron veçanërisht prindërit, të cilët duhet të jenë mjaft të kujdesshëm në vitet e para të jetës së fëmijës dhe duhet t’i drejtohen logopedistit në rastet kur fëmija nuk flet apo belbëzon, apo kur ka probleme me gëlltitjen; sidomos në momentin që hyjnë në parashkollor apo ciklin e ulët fillor, duhet të jenë vigjilentë nëse kanë performancë të ulur në klasë, pra kur kanë vështirësi në të shkruar, në lexim apo në të kuptuar, si dhe nëse janë hiperaktivë e të papërqendruar. Sa më e hershme të jetë ndërhyrja logopedike, aq më të dukshme janë rezultatet e rehabilitimit.

CMG:  Çfarë po ndodh me autizmin? Në kushtet kur kemi një përhapje në masë të këtij çrregullimi, çfarë ndodh me trurin e një fëmije?

Antigoni Bullari ( foto personale)3

Antigoni Bullari ( foto personale)3

Antigoni Bullari: Duket se zhvillimi i trurit që në rritjen e fetusit në periudhën e shtatzënisë diktohet nga defekte në gjene, të cilat pengojnë qelizat nervore të komunikojnë mirë me njëra-tjetrën. Por njerëzimi është ende në fillimet e tij për të kuptuar se çfarë ndodh në trurin e fëmijës me autizëm.

Sot, grupe të shumtë shkencëtarësh në institucione prestigjioze po punojnë seriozisht për të avancuar dijet në këtë fushë. Asnjëherë më parë njerëzimi nuk është marrë me këtë çrregullim siç po merret në këto vitet e fundit. Një konkluzion i rëndësishëm është tashmë i konfirmuar: nuk është nëna, apo praktikat mëmësore e prindërore shkak i autizmit. Nëpërmjet eksperimentesh e aparaturash të sofistikuara kompjuterike, shkencëtarët po studiojnë me intensitet faktorët që supozohet se shkaktojnë autizmin apo metodikat e një trajtimi efektiv.

CMG: Kush ka nevojë për logopedi dhe cilat probleme trajton ajo?

Antigoni Bullari: Logopedia është dega e mjekësisë që merret me parandalimin, edukimin dhe trajtimin e çrregullimeve të lidhura me gjuhën verbale dhe joverbale, komunikimin te fëmijët dhe të rriturit. Problematikat me të cilat merret logopedisti janë:

Çrregullime të të folurit – kur një person ka vështirësi prodhimin e fjalëve, tingujve saktë ose të rrjedhshëm (p.sh. belbëzimi ) ose ka probleme me zërin (disfoni, afoni) dhe kanë nevojë për rehabilitimin e kordave.

Çrregullime të sjelljes – kur një person ka probleme me përdorimin social të komunikimit verbal dhe joverbal. Të gjithë individët me çrregullim të spektrit të autizmit kanë probleme të ndërveprimit social.

Çrregullime kognitive (të trurit) – kur ka probleme për të organizuar mendimet, në përqendrim, në memorie, në zgjidhjen e problemeve. Këto çrregullime mund të jenë të shkaktuara nga goditje të ndryshme, dëmtime gjatë lindjes ose keqformime të lindura.

Antigoni Bullari ( foto personale)4

Antigoni Bullari ( foto personale)4


Çrregullime të gëlltitjes (disfagia) – kur ushqehen dhe gëlltiten me vështirësi, të cilat mund të ndjekin një sëmundje, kirurgji, goditje ose lëndime.

Çrregullime të gjuhës verbale tek individët të cilët nuk dëgjojnë ose kanë vështirësi në dëgjim.

Çrregullime të rënda ekspresive dhe / ose gjuhë të kuptuarit, të tilla si çrregullim të spektrit të autizmit ose çrregullime progresive neurologjike.

CMG: Si mund ta kuptojnë prindërit që fëmijët e tyre kanë nevojë për logoped?

Antigoni Bullari: Prindërit duhet të jenë mjaft të kujdesshëm në vitet e para të jetës së fëmijës dhe duhet t’i drejtohen logopedistit në rastet kur fëmija nuk flet apo belbëzon, apo kur ka probleme me gëlltitjen. Në momentin që hyjnë në parashkollor apo ciklin e ulët fillor, duhet të jenë vigjilentë nëse kanë performancë të ulur në klasë, pra kur kanë vështirësi në të shkruar, në lexim apo në të kuptuar, si dhe nëse janë hiperaktivë e të papërqendruar. Sa më e hershme të jete ndërhyrja logopedike, aq më të dukshme janë rezultatet e rehabilitimit.

CMG: Përveç terapive me logopedi, çfarë trajtimesh paralele bëhen?

Antigoni Bullari: Kjo është në varësi të problematikës që shfaq pacienti. Nëse është një fëmijë që shfaq çrregullim të spektrit të autizmit shoqërohet gjithnjë me terapi sjelljeje, nëse shfaq ADHD (Çrregullim i vëmendjes i shoqëruar me hiperaktivitet) shoqërohet me psikomotricitet dhe terapi medikamentoze. Në rastet e Afazive tek adultët, si pasojë e aksidenteve vaskulo-cerebrale AVC, terapia e të folurit shoqërohet me fizioterapi.

CMG: Kohët e fundit shumë prindër janë të shqetësuar për shkak se fëmija vonohet të flasë. Cilat janë shkaqet e kësaj vonese ?

Antigoni Bullari: Është e vërtetë që kohët e fundit është rritur kjo dukuri,këtë e vërej në bazë të vlerësimeve që bëj çdo ditë. Prindërit janë shumë të shqetësuar kur vijnë për vlerësim. Në shumë raste sipas simptomave dyshohet për autizmin, i cili është çrregullim neurobiologjik që veçohet me vështirësi në komunikim, ndërveprimi shoqëror dhe sjellje të përsëritura dhe rreze të kufizuar interesash. Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen para moshës dy vjeçare dhe shkalla e dëmtimit të këtyre tri fushave dallon nga individi në individ. Pas dyshimit që bëj unë,fëmija dërgohet tek psikologu për diagonostifikim dhe pastaj me anë të diagnozës ne bëjmë punën si Logoped. Arsyeja tjetër e vonesës në të folur është edhe dukuria e përdorimit të tepërt të teknologjisë nga ana e fëmijës. Një fëmijë I porsalindur mësohet nga nëna e tyre që te dëgjojë muzikë nga telefoni, pastaj ata vazhdojnë të përdorin telefonin apo Ipadin, poashtu edhe një kohë të gjatë qëndrojnë para televizorit. Kjo dërgon në pengimin e procesit të të folurit.

Autizmi nuk zgjedh (Foto Fondacioni Fëmjët Shqiptarë)

Autizmi nuk zgjedh (Foto Fondacioni Fëmjët Shqiptarë)


CMG: Cili është reflektimi juaj i përditshëm?

Antigoni Bullari: Sa më shumë kalon koha unë aq më tepër shqetësohem sepse  dua që shoqëria të kuptojë rëndësinë e trajtimit dhe kapjes në kohë të Autizmit sepse nëse kapet në kohë më pas mund të jetë nën kontroll e gjithë situata.

CMG: Çfarë i keni thënë ju vetes  kur hapët një qendër për fëmijet me autizëm?

Antigoni Bullari: Vetes i thashë se është momenti të eci përpara për të vijuar misionin tim në suportimin e këtyre femijëve të cilët kanë nevojë për ne. Janë fëmijë unike dhe me dashuri të madhe. Andaj, nuk jam menduar gjatë për të hapur qendrën pasi e dija që dashuria që do jap do jetë e barabartë me atë që do marr.

CMG: A është kjo një sfidë me veten ?

Antigoni Bullari: Çdo gjë që ne bëjmë ne jetë është një sfidë në vetvete. Por le të mos harrojmë se sfida më e madhe nuk është e jona që ushtrojmë profesionin por e prindërve që e jetojnë çdo ditë këtë sfidë .

Intervistoi: Megi Latifi