Presidenti Begaj: Të punohet për implementimin korrekt të hartës së re gjyqësore
2023-05-11 10:32:35

Foto nga RTSH

Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar implementimin korrekt të hartës së re gjyqësore. Në fjalën e tij në 110-vjetorin e Gjykatës së Lartë, Begaj u shpreh se duhet të punohet mbi perceptimin se harta e re gjyqësore nuk është kufizim i së drejtës së apelimit, citon “RTSH”.

“Si president dhe qytetar i këtij vendi, kërkoj të garantohet aksesi në drejtësi, i cili lidhet ngushtësisht me hartën e re gjyqësore. Të punohet jo vetëm mbi implementimin korrekt të kësaj harte, por edhe mbi perceptimin se harta gjyqësore nuk është kufizim i të drejtës së apelimit, as në sensin e kohës apo të vonesave, as në sensin e aksesit fizik”, - tha presidenti Begaj.

Kreu i shtetit u ndal më tej te qëllimi i reformës në drejtësi, që sipas tij lidhet ngushtë me drejtësinë e besueshme dhe të pavarur. Ai e vuri theksin te domosdoshmëria e shkëputjes së sistemit të drejtësisë nga ndikimet politike dhe fenomenet negative të së shkuarës.

“Pavarësia e sistemit, e cila është arsyeja e reformës në drejtësi, të japë frytet e veta në administrimin e sistemit, duke treguar përgjegjësinë dhe vendosmërinë e nevojshme për t'u shkëputur nga ndikimet politike e fenomenet negative të së shkuarës. Për këtë, rol të madh duhet të luajnë të gjitha institucionet e reja të drejtësisë”,- shtoi presidenti Begaj. (Elona)