Prindi dhe adoleshenti, sfidat e bashkëjetesës
2023-02-09 10:13:03

Të jesh prind i një adoleshenti është një sfidë, por njëkohësisht edhe një pasuri e madhe. Nuk është e lehtë të jesh prind i një adoleshenti për disa arsye. Duke u rritur, fëmijët bëjnë shumë pyetje, krijojnë bindjet  e tyre dhe i mbrojnë ato, megjithse janë  të ndryshme nga bindjet që kanë vetë prindërit. Këto ndryshime në jetën e tyre, sjellin në të  njëtën kohë ndryshime dhe në jetën e prindërve. Mund të lindin dyshime dhe pyetje të reja si: A mund  të pijë adoleshendeti alkool, cigare apo lëndë narkotike?  A flet  adoleshenti me prindërit? A ju provokon  fëmija juaj për këto tema? Të rritësh një adoleshent është një sfidë e bukur, sepse adoleshentët vënë në dyshim veprimet dhe limitet e familjarëve. Shpeshherë guxojnë  të vënë në dyshim dhe mund të lëkundin bindjet  e të rriturve. Në këtë mënyrë, duhen gjetur rrugë të reja  komunikimi me fëmijën adoleshent. Në lidhje me  këtë temë jep opinionin e saj për Radio Ejani punonjësja sociale në shkolla, si edhe në Qëndrën “Emanuel” Loreta Kruja.

CMG: A duhet të ngrejë zërin  prindi  tek fëmija adoleshent? Si ndikon kjo në këtë fazë të jetës?

Loreta Kruja: Sa i përket marrëdhënies prindër-fëmijë, sidomos në adoleshencë ka një çekulibrim, që relativisht duhet të jetë  një marrëdhënie korrekte dhe shumë e pastër. Duke e parë nga këndvështrimi psikologjik dhe social, prindi duhet të gjejë disa mekanizma dhe disa metoda për të tërhequr vëmendjen e fëmijës, veçanërisht adoleshentit që realisht është më e vështirë tërheqja e vëmendjes. Ndonjëherë duhet ngritur dhe pak zëri, por duhet gjetur metoda dhe mënyrat e duhura.  Pra prindi mund ta thërrasë fëmijën në emër, mund t’i tërheqë vëmendje me diçka që adoleshentit i pëlqen, mund t’i plotësojë një dëshirë, duke i tërhequr vëmendjen.

CMG: A ndikon kjo gjë në sjelljet problematike të adoleshentëve?

Loreta Kruja: Marrëdhëniet që krijohen midis prindërve dhe  fëmijëve adoleshentë janë pak delikate, duke qenë se adoleshentët janë në kërkim të identitetit, të personalitetit, të karakterit të tyre, që janë faza të eksplorimit të situatave të caktuara dhe shpeshherë ngritja e zërit të prindërit ndaj adoleshentit i duket si një lloj ndëshkimi, pushteti apo disipline. Normalisht mund të ndikojë negativisht sesi ai mund të krijojë vetëbesim. Prandaj do të ishte më mirë që prindërit të gjenin një mënyrë edukuese, më të qetë, më të socializuar, duke i kërkuar adoleshentëve që të japin argumenta, duke i treguar atyre anët pozitive dhe negative, duke i treguar pse kjo gjë është e gabuar, apo pse kjo gjë është rruga më e mire. Por jo, duke ngritur zërin dhe treguar agresivitet ndaj tyre sepse ngritja e zërit, agresiviteti, pushteti tregon sikur prindi ka gjithmonë të drejtë mbi fëmijën, sikur ajo që thotë prindi është gjithmonë më e drejta, më e sakta dhe më e vërteta. Prandaj do të ishte më mire  që prindi të japë argumenta, shpjegime dhe nëpërmjet argumentave, adoleshenti kupton se kërkesat e prindërve dhe kërkesat e adoleshentit duhet të jenë në unison. Pra nëpërmjet komunikimit konstruktiv dhe me zë normal, do të ishte më e mira që të dy palët të merreshin vesh pa ngritje zëri, pa konflikte dhe pa debate të vazhdueshme në familje. Kjo do të ishte më e mira për të dyja palët.

CMG:  Cili është opinioni juaj, por edhe keshilla për prindërit në këtë rast?

Loreta Kruja: Adoleshenca është një fazë delikate dhe përsa i përket opinionit tim, ka me të vërtetë një ndryshim të marrëdhënieve dhe raporteve prindër -fëmijë, që do të thotë se tani fëmijët e ndjejnë veten më të pavarur. Fëmijët mendojnë se ata kanë gjithmonë të drejtë. Duke u fokusuar tek rrjetet sociale, tek kontaktet që kanë me miq më të rritur, me individë relativisht më të mëdhenj, ata mendojnë se ndonjëherë prindërit e tyre e kanë gabim.

Këshilla ime për ta dote  ishte: “Besoni këshillat e prindërve tuaj, pasi ata janë njerëzit e parë që ju duan pa kushte, dëgjoni këshillat e tyre dhe kritikat e tyre. Jo gjithmonë  kritikat e prindërve janë ato që të ulin rolin tuaj apo duan t’ju tregojnë se ju jeni më të vegjël, jo gjithmonë ndodh kështu. Janë ata që duan të krijojnë një vetëbesim tek ju, janë këto kritika që duan të krijojnë një personalitet të fuqishëm, janë kritika që duan t’ju rrisin ju në mendësi, kulturë, që ju të bëheni një qytetar i mirë, njerëz më të mirë. Prandaj kërkoj që të rritet një bashkëpunim dhe të krijohet një marrëdhënie më e ngushtë, më miqësore midis prindërve dhe fëmijëve të tyre dhe veçanërisht adoleshentëve.

Gjithashtu ju të dashur adoleshentë, besojini prindërve tuaj, motrave dhe vëllezërve tuaj, sepse ata janë njerëzit që duhet t’ja besoni problemet tuaja. Mos i tregoni problemet tuaja jashtë rrethit t familjar sepse të tjerët mund ta keqpërdorin këtë informacion, dhe mund t’ju bëjnë të ndjeheni keq. Dëgjojini kritikat dhe mos mendoni se prindërit ju kritikojnë se duan t’ju ulin apo t’ju zhgënjejnë, përkundrazi prindërit ju kritikojnë sepse duan që të rrisin një adoleshent të shkëlqyer dhe duan që adoleshenti i tyre të bëhet një njeri shumë i mirë, një qytetar i Iirë dhe me vetëbesim, me mendje të bukur dhe një qytetar i edukuar e i kulturuar. Prandaj besojini gjithmonë prindërve tuaj sepse kritikat e tyre janë konstruktive dhe të vlefshme për jetën tuaj që ju pret në vazhdim”.

 -Shumë prindër pyesin veten, a janë prindër të mirë apo jo. Në të vërtetë fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për prindër të përsosur, por të arritshëm në jetë. Për t’u rritur, adoleshenti ka nevojë të ndërtojë identitetin dhe bindjet e veta, kjo është edhe arsyeja përse ata në këtë moshë i kundërshtojnë prindërit. Në këtë moshë ata dëshirojnë që t’i lejojnë të  krijojnë bindjet e tyre. Kanë dëshirë që të provojnë gjëra të reja, në veçanti nëse këto janë të ndaluara dhe emërtohen si të “këqija”nga të rriturit. Nuk është qëllimi i tyre që të shkelin rregullat, por e rëndësishme është që ky rregull të shoqërohet me një shpjegim. E mira është të flisni me fëmijën tuaj për këto tema sociale që ju shoqërojnë, por pa qenë moralizues. Adoleshentët kanë nevojë të marrin informacione dhe së bashku me prindërit mund të diskutojnë për këto tema delikate.

Intervistoi: Sava Lena