Shpërndarja e burimeve mjekësore gjatë emergjencave të shëndetit publik është shumë e rëndësishme për të mbrojtur shëndetin e njerëzve. Në tre vjetët e fundit, Kina ka përmirësuar strategjitë dhe ka forcuar përgatitjen e saj në luftën kundër COVID-19.
Kina ka optimizuar masat e reagimit kundër COVID-19, duke e zhvendosur fokusin nga kontrolli i infektimeve te parandalimi dhe trajtimi i rasteve të rënda. Këto rregullime, që përfshijnë uljen e nivelit të menaxhimit të COVID-19 si sëmundje ngjitëse e kategorisë B, kanë sjellë fluksin më të madh të udhëtimeve për Festën e Pranverës në tre vjet. Duke parashikuar rikthimin masiv të njerëzve në vendlindjet e tyre për të kremtuar festën, është forcuar aftësia e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë në zonat rurale.
Forcimi i masave në zonat rurale
Deri më 19 janar, qeveria kineze ka pajisur falas mbi 600 000 klinika fshati në tërë Kinën me 1.17 milionë pulsoksimetra, të cilat janë pajisje kyçe për mjekët që të identifikojnë rastet e rënda të COVID-19 në një fazë të hershme.
Pajisjet e tjera mjekësore të rëndësishme, që përfshijnë ventilatorët dhe oksigjenimin me membranë jashtëtrupore, të quajtur edhe si ECMO, janë të mjaftueshme në përgjithësi për trajtimin e rasteve të rënda, u shpreh Jiao Yahui, kreu i Departmentit të Administrimit Mjekësor në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë (NHC).
Përveç kësaj, organe të ndryshme qeveritare, si Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit dhe Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, po përpiqen të ofrojnë më shumë analgjezikë me molekula të vogla, ose barna për uljen e temperaturës, në zonat rurale.
Kina po përfiton edhe nga aleanca e vet shëndetësore, e themeluar në vitin 2018, për të shtuar furnizimin me barna dhe për të forcuar aftësinë e trajtimit të të sëmurëve nga COVID-19 në spitalet dhe klinikat në zonat rurale.
Spitali Popullor në Xinzhuang të Changshu-së, një qytezë në nivel konteje nën administrimin e qytetit Suzhou në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, ka vëzhguar nga afër inventarin e barnave kundër virusit dhe e ka raportuar kërkesën e vet te departamentet përkatëse kur është e nevojshme.
"Ne tani mund të garantojmë barnat e recetave për ata që kanë nevojë dhe jam i sigurt që nuk do të kemi mungesë të furnizimit të barnave, me ndihmën nga institucionet përkatëse," i tha CGTN-it Wu Danping, drejtor i këtij spitali.
Përveç kësaj, qeveria qendrore i ka urdhëruar fshatrat dhe qytezat të vënë automjete në gatishmëri për të transportuar sa më shpejt pacientët në gjendje të rëndë në spitalet e niveleve më të larta.
Nëpërmjet mekanizmit të referimit të aleancës mes Changshu-së dhe Xinzhuang-ut, duhen vetëm 30 minuta për transportimin e pacientëve, sipas Gao Yu-së, shefi i repartit të urgjencës të Spitalit Popullor në Xinzhuang.
Kina ka investuar ndjeshëm për forcimin e aftësisë së trajtimit dhe garantimin e furnizimeve mjekësore në zonat rurale më pak të zhvilluara. Sipas Agjencisë së Lajmeve “Xinhua”, deri në fund të 2022-shit u formua një rrjet i shërbimeve shëndetësore me 23 000 institucione mjekësore në nivel konteje, 35 000 spitale qytezash dhe 599 000 klinika fshatrash.
Shpërndarja e burimeve mjekësore në tërë Kinën
Mobilizimi i burimeve është një pjesë e strategjisë së Kinës për reagimin ndaj emergjencave të shëndetit publik që nga fillimi.
Në janar të vitit 2020, kur epidemia e COVID-19 shpërtheu në Wuhan dhe në spitalet e këtij qyteti vërshuan pacientët me temperaturë të lartë, qeveria qendrore dërgoi aty menjëherë mbi 40 000 punonjës mjekësorë. Mbërritja e tyre, së bashku me furnizimin me materiale ndihme nga mbarë vendi, ndihmuan në kontrollin e epidemisë në afro tre muaj.
Kina trajtoi mbi 100 vatra të epidemisë dhe shmangu për hapjen e gjerë të virusit origjinal të COVID-19 me patogjenitet të fortë dhe të variantit “Delta”.
Shtimi i burimeve mjekësore
Tre vjetët e luftës kundër COVID-19 i lejuan Kinës që të jetë e përgatitur më mirë për rritjen e shpërthimeve në kohët e fundit.
Edhe pse më prapa vendeve të zhvilluara, spitalet e Kinës ofruan mesatarisht 6.7 shtretër për 1 000 veta në vitin 2021, nga 6.46 shtretër në vitin e kaluar, sipas të dhënave statistikore të deklaratës së zhvillimit të kujdesit shëndetësor të vendit të publikuara në korrik të vitit 2022.
Dhe ky numër vazhdon të rritet. Zyrtarët kinezë të shëndetësisë i kanë urdhëruar spitalet e nivelit të tretë që të shtojnë shtretërit e terapisë intensive në 4 % të numrit të përgjithshëm të shtretërve, duke lënë pak hapësirë edhe për shtretërit e ndërrueshëm deri në fund të dhjetorit të vitit 2022.
"Deri tani janë në përdorim 75.3 % e shtretërve për rastet e rënda," tha Jiao Yahui, kreu i Departmentit të Administrimit Mjekësor në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë, duke theksuar se numri i përgjithshëm i shtretërve të terapisë intensive është i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e trajtimit. (Xu Guang)